Reali po nis të bindë tifozët dhe kritikët se e ka lënë pas krizën. Vlerësimet ishin pozitive pas fitores ndaj Sevilla-s në kampionat, ku shkëlqeu sidomos kroati Luka Modriç.
Ata që ndoqën ndeshjen në “Bernabeu” padyshim thuajse e fshinë nga mendja katastrofën 0-3 të fazës së parë ndaj kësaj skuadre. Reali që u shfaq para tifozëve të vet ndaj Sevilla-s ishte diçka tjetër dhe jo thjesht sepse fitoi 2-0.
Djemtë e trajnerit Solari sikur kishin rifituar atë magjinë e ndeshjeve të mëdha, edhe pse mjaft nga yjet nuk ishin në fushë. Pa Cristianon prej kohësh, pa Bale dhe me Isco e Marcelo në stol, Solari ndjeu kënaqësi sepse vendimet e tij dolën të drejta.
Benzema bëri mirë që nuk u operua dhe kjo u pa në fushë, ndërsa të rinjtë si Ceballos, Vinicius dhe Regihon ishin të shkëlqyer. Publiku, gjithsesi, u lumturua më shumë nga “ringjallja” e të adhuruarit Luka Modriç.
Mesfushori kroat luajti ndeshjen më të mirë të sezonit dhe duket se pushimi i dimrit (edhe pse me stërvitje) i ka bërë mirë. Me një Modriç të tillë, Reali mund të ketë shpresë për trofe, pse jo edhe për më të rëndësishmit, ndonëse Barcelona duket vështirë që të arrihet në La Liga.Mediat e lavdëruan menjëherë kroatin.
“Marca” ka një foto të Modriçit në kopertinë dhe titullin: Ngrihet në fluturim!
Edhe gazeta “AS” e ka kopertinën me foton e Modriçit, ndërsa titulli është: Madridi më i mirë!
Golat ndaj Sevilla-s u shënuan nga Casemiro dhe nga Modriç, ndërsa skuadra kundërshtare u duk shumë e dobët përballë kampionëve të Europës dhe të botës në fuqi.
“Ishte një paraqitje brilante, – u shpreh trajneri Solari, – duhet të falenderoj gjithë skuadrën dhe nuk mund të veçoj një lojtar nga të tjerët. Tani jemi në rrugën e duhur, duke fituar ndeshjet. Një ndeshje që vlente më shumë se tri pikë, pasi kishim përballë një rival direkt”.
Reali u ngjit në vend të tretë, por përpara tij mbeten dy skuadra. Këtë sezon në La Liga do të ketë punë jo vetëm me Barçën, por edhe me rivalin brenda qytetit, Atletico-n, që e fitoi ndeshjen e saj këtë javë. Skuadra e trajnerit Simeone triumfoi 3-0 në fushën e Huesca-s./abcnews.al