Prokuroria për Krimet e Rënda kanë pezulluar hetimin e nisur për “trafik të narkotikëve” pas publikimit të audio-përgjimit të “Babales”. Dosja i është përcjellë policisë për plotësim hetimor dhe gjetjen e provave të reja.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka pezulluar hetimin e nisur pas publikimit të audio-përgjimit të Albert Veliut, Babales, në maj të vitit 2018. Burime pranë Prokurorisë konfirmuan se dosja i është kthyer policisë për plotësim hetimor dhe gjetjen e provave të reja.
Fillimisht ky procedim u regjistrua për akuzën e “trafikut të narkotikëve”, pas pretendimit se Babalja fliste me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, për trafikimin e një sasie droge drejt Italisë. Hetimi i mëtejshëm i çështjes që trazoi skenën politike në vend ngriti dyshime për një bisedë të inskenuar. Si përgjegjës të dyshuar u identifikuan Babalja, Fredi Alizoti, si aktruesi i zërit të Agron Xhafajt, deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, të cilët u vunën në akuzë për “kallëzim të rremë”.
Në tetor të vitit 2018 hetimi ndaj tyre i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Tiranës. Pas veccimit të tyre, Prokuroria për Krimet e Rënda vijuan hetimin për dyshimet e ngritura mbi “trafikun e narkotikëve” veprën penale për të cilën u regjistrua procedimi penal. Sipas burimeve, nga veprimet hetimore të kryera nuk janë siguruar të dhëna që mund të ngrenë dyshime të arsyeshme mbi persona konkretë. Për këtë shkak nga ana e Prokurorisë është vlerësuar të pezullohet hetimi dhe dosja t’i delegohet policisë për plotësim hetimor dhe sigurimin e provave të reja.
Ndërsa po e heton për “kallëzim të rremë” Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë deklarimet e Albert Veliut. Përmes një komunikimi me “ABCneës”, avokati i tij në Kosovë, Tom Gashi, konfirmoi se aktualisht Veliu ndodhet në Bruksel, Belgjikë, ku ka kërkuar azil politik./abcnews.al