Në seancën e së hënës, dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës, po dëshmon për procesin e zhvarrimit të një trupi, për të cilin tha se e kanë zhvarrosur bashkë me persona të tjerë dhe kanë vërejtur se i kishte këmbët e duart e thyera, si dhe se kishte plumba prapa shpinës.
Ai tha se vëreheshin se ato pjesë të trupit ishin të thyera.
“Kur e kena kap, u dokshin kamtë e durtë që i ka të thyme”, ka thënë ai.
Dëshmitari me kodin W04391 ka thënë se prapa shpinës së trupit që kanë zhvarrosur kanë parë vrimat e bëra nga plumbat.
“Edhe plumbat prapa shpinës, i kena pa birat që i ka pas plumbat”, ka thënë dëshmitari, e shtoi se trupin e kanë zhvarrosur dhe e kanë futur në arkivol.
Prokurorja Valeria Bolicci e ka pyetur nëse herën e dytë kur kanë shkuar kanë parë ndonjë hollësi apo diçka tjetër lidhur me trupin e dytë që ishte në të njëjtin varr, kurse dëshmitari e ka mohuar këtë.
Ai bëri të ditur se të dy trupat ishin të mbështjellë me nga një batanije.
“Një batanije aj, një aj”, tha ai, kurse deklaroi se nuk i kujtohet nëse trupi tjetër ishte i një femre apo një mashkulli.
Prokurorja Bolicci ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit, kurse shumica e pyetjeve që ajo ka parashtruar janë përcjellë me seanca të mbyllura, raporton “Betimi për Drejtësi”./Express