Berlini ka refuzuar propozimin e Bjellorusisë për pranimin e 2000 emigrantëve që ndodhen në territorin bjellorus, tha sot përfaqësuesi i qeverisë gjermane. Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ndërkohë ka akuzuar autoritetet e Bashkimit Europian se kanë refuzuar çdo diskutim për fatin e dy mijë emigrantëve të bllokuar në territorin bjellorusi në kufirin lindor të BE-së.
Perëndimorët nga ana tjetër akuzojnë Bjellorusinë për krijimin e krizës duke organizuar fluksin e emigrantëve nga Lindja e Mesme në Minsk dhe më pas duke i kanalizuar në kufirin polak, duke premtuar gjithashtu transportimin përmes territorit të Bashkimit Europian, si shenjë hakmarrje ndaj sanksioneve të BE-së.
“Unë pres që Bashkimi Europian t’i përgjigjet pyetjes për 2000 emigrantët,” u citua të ketë thënë Alexander Lukashenko nga agjencia e lajmeve Belta gjatë një takimi të qeverisë.
Presidenti i Bjellorusisë deklaroi se i ka kërkuar Bashkimit Europian që të mirëpresë emigrantët. “Merkel më premtoi se zyrtarët europianë do ta shqyrtonin problemin në nivel të BE-së,” tha Lukashenko, i cili kontaktoi me Merkelin dy herë gjatë javës së kaluar.
Bjellorusia tha e bindur javën e kaluar se kancelarja gjermane do të negocionte me Bashkimin Europian krijimin e një “korridori humanitar” për transportimin e 2000 emigrantëve të mbetur në kufi me Gjermaninë. Ky pretendim u hodh poshtë kategorikisht nga qeveria gjermane.
Mijëra emigrantë, kryesisht kurdë irakianë, u bllokuan në pyjet e ftohta në kufi midis Bjellorusisë dhe Polonisë, me shpresën për të kaluar në territorin europian. Rreth 400 u riatdhesuan me avion në Irak të enjten dhe rreth 2,000 u dërguan në një qendër pranë kufirit.
/abcnews.al

