Mesazhi i Putin, Veseli: Rusia, drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës

schedule17:39 - 18 Janar, 2019

schedule 17:39 - 18 Janar, 2019

Prishtina zyrtare e ka komentuar me nota pozitive mesazhin e presidentit Vladimir Putin në Serbi. Për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ai është tregues se Rusia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, deklarata e Veselit është pritur me ironi në Beograd.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke komentuar vizitën e presidentit Putin në Serbi ka deklaruar se mesazhi i kreut të Kremlinit është i njëjtë si për Prishtinën edhe për Beogradin. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten, Veseli është shprehur se qëndrimi i Putin një ditë më parë në kryeqytetin serb tregon se Rusia po ecën drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Të njëjtat gjëra që tha pas një takimi me Thaçin, Putin i tha edhe pas takimit me Vuçiç. Pra, Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

Kryetari i Kuvendit ka shtuar se Kosova shpreson që këtë vit të bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndaj deklaratës së Veselit ka reaguar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili nuk i ka kursyer dozat e ironisë.

“Nëse Kadri Veseli thotë kështu, atëherë ashtu duhet të jetë”, ka thënë me ironi Vuçiç, i cituar nga agjencia e lajmeve B92. Për Vuçiç, presidenti Putin gjatë qëndrimit në Beograd ka thënë të kundërtën e asaj që pretendon Prishtina. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur të enjten në Beograd, Putin deklaroi se Rusia do të luajë rolin e saj në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe se aktualisht mbështet rezolutën 12-44 të OKB-së. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!