Drejtori i AKU-së sqaron “kleçkën” e kompanive me qumështin pluhur: Nuk është i rrezikshëm

schedule20:11 - 19 Nëntor, 2021

schedule 20:11 - 19 Nëntor, 2021

Pak ditë më parë pas presionit të industrisë së përpunimit qeveria u tërheq nga propozimi për taksimin prej 100 lekë për kg për qumështin pluhur. Por çfarë ndodh në treg dhe a ka pasur kontrolle për të zbuluar raste abuzimi me përdorimin? Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Bledar Skënderi i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” në një bisedë në studio me gazetaren Jonida Shehu u shpreh se kontrolli ende nuk ka nisur dhe shtoi se qumështi pluhur nuk është i rrezikshëm, por theksoi faktin që qytetari duhet të dijë sa është masa e përdorur. Skënderi u shpreh se kompanitë janë të detyruara ta shënojnë në etiketë qumështin pluhur, kur përdoret mbi 2%.

Në 2018 është miratuar një VKM (vendim qeverie) për etiketën e produkteve ushqimore. Përsa i përket pjesës, shqetësimit të ngritur nga media, ne bëmë një verifikim të etiketave. Vumë re që shumë pak etiketa përdorej qumështi pluhur, më pak se 20 etiketa, bëhej fjalë më tepër për produkte që janë derivate të qumështit. Nëse përdoret deri në 2% nuk shënohet në etiketë. Monitorimin po e fillojmë këtë vit. Nuk kemi rezultat, kemi filluar hetimet paraprake për sasinë e qumështit pluhur të futur dhe ku shkon.

Qumështi pluhur nuk është produkt i rrezikshëm, është qumësht, është qumësht lope i pluhurzuar. Por qytetari duhet ta dijë nëse blen qumësht të freskët lope apo pluhur. Do shkojmë në kompani të shikojë sasinë e qumështit pluhur që ka përdorur. Për sasinë nën 2%, me verifikimet paraprake nuk na rezulton se kompanitë përdorin sasi të mëdha qumështi pluhur. Do të bëjmë hetim të thelluar administrativ për të gjithë industrinë e qumështit” tha ai.

Në datë 10 Nëntor Kontrolli i Lartë i Shtetit paditi drejtorin e Përgjithshëm të AKU, Bledar Skënderi me akuzën se nuk reagoi në kohë ndaj situatës së krijuar me alarmin e ngritur nga Bashkimi Europian për sasi “oksid etileni” në disa akullore. Drejtori i AKU-së tha se institucioni që drejton reagoi në kohë, madje tha ai, më shpejt se Gjermania.

Nuk është çuar në SPAK. Vepra për të cilën ka ngritur akuzë KLSH kompetence është prokuroria e Tiranës. Unë besoj se për pjesën e përgjegjësisë cështja do të hetohet dhe do të dalin me një konkluzion. Unë dua të sqaroj cfarë ka ndodhur me pjesën e akulloreve. Është një organizëm europian që përcjell alertet e ngritura në fushën e sigurisë ushqimore.

Bëhet fjalë për një lot, jo të gjithë sasinë e prodhuar nga kompania “Mars” dhe ky produkt është futur në fillim të marsit në Shqipëri. Në 31 korrik vjen një njoftim që ka kompani nga Shqipëria që kanë futur produkt nga ky lot. Analizat janë bërë në Spanjë, pasi produkti është shpërndarë në 36 vende. Niveli doli pak mbi nivelin e lejuar, u raportua për ndjekje. Ne ndjekim gjurmëshmërinë, marrim numrin e lotit që bëhet fjalë, shikojmë në kufi cilat kompani e kanë futur. Kemi njoftuar kompaninë të bëjë tërheqjen urgjente nga tregu.

Produkti ishte shpërndarë në 8700 subjekte në të gjithë Shqipërinë. Janë ngritur gjithë inspektorët, u vendosën në alert për të bllokuar akulloret dhe në 8 gusht operacioni mbaroi dhe akulloret janë mbledhur dhe magazinuar dhe më pas u asgjësuan në Shkodër. Në Gjermani kancelarja Merkel doli në 12 gusht për t’u kërkuar qytetarëve të mos e përdorin, ne në 8 gusht e mbyllëm” deklaroi ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!