Lazio pret nesër Juventusin në “Olimpico” dhe trajneri Maurizio Sarri foli para ndeshjes në konferencën e zakonshme për shtypin. Tekniku theksoi se bardhezinjtë kanë ekipin më të mirë në kampionat, ndërkohë që preku edhe temën e rinovimit dhe kalendarin e ngjeshur.
“Nuk është vetëm sulmi, Juventusi ka lojtarë individual të një niveli të lartë në çdo pozicion. Juve ka ekipin më të thellë dhe më të fortë në ligë. Duhet të shmangim që ata të kenë shumë posedim të topit, të cilin duhet të përpiqemi ta kemi vetë”.
“Rinovimi? Unë flas me drejtuesit pothuajse çdo ditë, shkëmbejmë mendime. Ne kemi një marrëdhënie shumë të drejtpërdrejtë, gjithmonë kam thënë atë që mendoj, pastaj drejtuesit do të vendosin se çfarë të bëjnë”.
“Të gjesh disa orë për gjumë është aspekti që më shqetëson më shumë. Është e vështirë për shumë arsye, do të luajmë në Moskë dhe më pas në Napoli. Tre ndeshje shumë të rëndësishme për ne.
Bëhet i vështirë rikuperimi mes një ndeshjeje në tjetrën. Për momentin ne mendojmë vetëm për të nesërmen pa menduar më tej”, tha Sarri në prag të ndeshjes kundër Juventusit në kryeqytetin italian. / abcnews.al