Takimi i dytë me Trump, negociatori i Penianit në Uashington

schedule19:34 - 17 Janar, 2019

schedule 19:34 - 17 Janar, 2019

Një zyrtar i lartë i Koresë së Veriut ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’i dorëzuar administratës amerikane një letër të liderit Kim Jong Un. Vizita përforcon më tej zërat për një takim të dytë mes Kim dhe presidentit Trump, që thuhet se do të mbahet në Vietnam.

Një nga negociatorët kryesorë të Koresë së Veriut është nisur për në Uashington për t’u takuar me zyrtarët amerikanë në lidhje me mundësitë për një takim të dytë mes presidentit Donald Trump dhe liderit Kim Jong Un. Sipas mediave koreano-jugore, negociatori Kim Jong Çol ka me vete një letër nga Kim, të cilën do t’ia dorëzojë shefit të Shtëpisë së Bardhë. Agjencia “Jonhap” saktëson se përfaqësuesi i Penianit do të takohet të premten me sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo.

Zërat për një takim të dytë mes Trump dhe Kim, që këtë herë mund të mbahet në Vietnam, sa vijnë e shtohen. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, lideri koreano-verior ka gjasa të udhëtojë në vendin komunist për një vizitë shtetërore në shkurt, e cila mund të jetë një prelud i takimit dypalësh. Ndërkohë, pak progres është regjistruar në procesin e asgjësimit të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut që nga takimi i parë Trump-Kim, në qershor në Singapor.

Por nga ana tjetër, aktiviteti diplomatik i Penianit nuk është ndalur. Kim vizitoi më herët gjatë muajit Kinën, ku zhvilloi bisedime me presidentin Xi Jinping, sikurse bëri përpara samitit të Singaporit. Ndërkohë, zëvendës ministrja e Jashtme koreano-veriore, Ço Son Hui është nisur drejt Suedisë ku do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm amerikan për Penianin, Stefen Bigan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!