Prej dy ditësh, në Pallatin e Kongreseve është rikthyer Panairi i librit nën moton “Frymarrje ne u rikthyem”.
Pas një mungese të krijuar nga pandemia, ai është mirëpritur me shumë entuziazëm nga lexuesit, të cilët kanë shkuar menjëherë të blejnë titujt e tyre e preferuar.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Albert Gjoka, menaxheri i Bukinist.al ka treguar që pavarësisht se Panairi do të mbyllet më 21 nëntor, ofertat do të vijojnë deri në 30 nëntor.
Sipas tij, këtë herë ka pasur një numër të madh të librave të rinj të botuar dhe kjo e ka bërë të pamundur informimin e lexuesit.
Sakaq, Gjoka zbuloi edhe një sfidë që ka krijuar, ku çdo lexues do të numëroj që nga ky panair deri në atë të ardhshmin se sa libra ka lexuar.
“Numri i botimeve që janë hedhur për këtë periudhë kohe e ka bërë të pamundur lexuesin të informohet.
Ne jemi në një betejë të përhershme me lexuesit, pasi kërkojmë gjithmonë ulje. Madje ka edhe 50% ulje për lexuesit.
Ne kemi bërë një sfidë, që sa libra do lexojë një lexues nga nëntori i këtij viti deri në 2022. Në këtë mënyrë, lexuesit do të kuptojnë sa lexojnë, pasi kur vijnë në Panair shohim që mbushin çantat me libra. Ju ftoj edhe ju të dy të shohim se kush ka lexuar më shumë deri në panairin e ardhshëm”./abcnews.al