Zyrtari i lartë shqiptar në dosjen e Taçit, Hoxha: Nëse SPAK gjen elementë të përfshirjes vuloset gjithçka

schedule14:13 - 17 Nëntor, 2021

schedule 14:13 - 17 Nëntor, 2021

Ervin Salianji dhe Erion Braçe për pak sa nuk u përplasën fizikisht seancën plenare të 16 nëntorit pasi deputeti i PD e pyeti Braçen nga foltorja nëse është zv/ministri i përmendur në përgjimet e prokurorisë italiane për dosjen “Taçi.”

Gazetari Artan Hoxha në “Abc Live” me Juli Xhokaxhi u shpreh se në faqen 40-41 të dosjes tregohet një bisedë e bërë më 18 tetor mes financierit të Francesco Zummo-s dhe bashkëjetueses së tij.

Petruzzella i thotë: “Plaku ka folur me Rezartin dhe ai i ka thënë që do ta zgjidhë këtë histori..”

Hoxha shpjegon se sasia e parave ka mbërritur në Shqipëri më 28 korrik, megjithatë ai shton se nuk ka parë në dosje elementë që të tregojnë përfshirje të zyrtarëve shqiptarë.

“Nëse ka garanci, për të bërë këtë operacion, është bërë para se të vinin paratë. Nuk kam parë në dosje elementë të përfshirë të zyrtarëve tanë. Besoj se për shkak të faktit që paratë janë të bllokuara, siçilianët janë vënë në alarm. Dhe Taçi u ka thënë që do kontaktojë me zv/kryeministrin dhe ministrin e financave.”

Gazetari u shpreh se nuk beson se ndokush do ta merrte përsipër të ndërhynte pasi do të linte gjurmë. Artan Hoxha u shpreh se nëse SPAK do të gjejë elementë të përfshirjes së zyrtarëve, kjo “do ta vuloste të gjithë situatën.”

Duke u kthyer te seanca e 16 nëntorit, Braçe në përgjigje të akuzave të Salianjit tha se nuk ka pasur asnjëherë lidhje me Rezart Taçin dhe aq më pak me mafian italiane.

“Në këtë sallë ka shpifës të dënuar nga gjykata, madje jo të dënuar, por komplotues në nder dhe dinjitetin e njerëzve. Dokumenti i përgjimit të Rezart Taçit, mban datën 18 tetor 2021, në atë kohë unë s’kam qenë zv/kryeministër, por në 9 shtator unë kam qenë vetëm deputet në këtë sallë.

Në këtë sallë unë e di që ka njerëz që paguhen për të shpërndarë akuza, unë do t’ua tregoj që ka njerëz që paguhen. O kam folur unë për privatëzimin, për transaksionet e Armos dhe të gjithë ngjarjet që kanë pasuar ato, nuk ka folur kush në këtë sallë. Jo vetëm kam folur por dhe kam kallëzuar në prokurori.

Unë dhe Rezart Taçi s’kemi këmbyer asgjë, as telefonata asgjë, unë kurrë nuk kam shkelur në televizionin e tij, por do e provoj dhe këtë, faleminderit për zyrën që më keni dhënë por është plot me dosje deri në tavan”, tha Braçe. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!