Kronologjia e horrorit në Fier, nga rrëmbimi, te vrasja me lopatë dhe groposja e vogëlushit

schedule23:42 - 16 Nëntor, 2021

schedule 23:42 - 16 Nëntor, 2021

Jo vetëm Fieri, por e gjitha Shqipëria u trondit sot nga krimi harror që ndodhi në fshatin Grecalli, ku një 38-vjeçar vrau dhe groposi një fëmijë 8-vjeçar, fqinj, familja e të cilit e mbante me bukë.

Por si ndodhi ngjarja e rëndë?

Këtë të martë vogëlushi sëbashku me vëllain e tij 14 vjeçar nuk kishin shkuar në shkollë. Pasdite nëna e tyre Florida Vasiu, pasi ishte kthyer nga puna vuri re mungesën e të birit dhe nisi ta kërkonte në lagje. Pa arritur ta gjente ajo shkoi në polici për të denoncuar humbjen e vogëlushit.

Dyshimet e banorëve, të cilët e kishin parë fëmijën duke përdorur biçikletën e 38-vjecarit Klodian Çalamani e çuan policinë të kontrollonte banesën e tij.

Autori fillimisht nuk e pranoi krimin por më pas është “thyer” përpara hetuesve duke pranuar vrasjen dhe treguar vendin ku e kishte groposur. 8-vjecari u gjet i pajetë dhe i mbuluar me baltë në oborrin e shtëpisë së Çalamanit.

Autori është shprehur se pasi fëmijës i kishte dhënë biçikletën ta përdorte, 8-vjeçari, sipas tij e kishte sharë. Ky ka qenë sipas tij edhe motivi për të cilën ai e kishte goditur të miturin me lopatë në kokë dhe në trup.

E gjithë kjo ndodhi në portën e shtëpisë së tij. Më pas Klodian Çalamani e ka zhvendosur trupin e pajetë të vogëlushit në oborr ku dhe e ka groposur. Ngjarja ka tronditur banorët e fshatit. “Si për fëmijën tonë na ka ardhur keq” tha njëri prej tyre.

Disa të rinj tregojnë se 38-vjeçari, jetonte i vetëm dhe nuk punonte rregullisht. Shpesh ai shihej i dehur në fshat. Klodian Çalamani ka qenë i dënuar edhe më parë për rrëmbim personi.

Në vitin 2006, së bashku me shokun e ti Florian Vasiu, që është edhe xhaxhai i fëmijës së vrarë, kishin marrë peng një 16-vjeçare të cilën e torturuan dhe e kërcënuan.

Ata u dënuan nga Gjykata e Fierit me nga katër vite burg me akuzën  për rrëmbim. Pas vuajtjes së dënimit ai ishte rikthyer në fshatin Grecalli të Fierit duke kryer krimin e radhës./ Abcnews.al