Nga pedofili serial Ardian Prrenjasi, te xhaxhai që vrau nipin, krimet tronditëse ndaj fëmijëve

schedule09:45 - 17 Nëntor, 2021

schedule 09:45 - 17 Nëntor, 2021

Ngjarja makabre e regjistruar në Fier, ku 38-vjeçari Klodian Çalamani ka rrëmbyer fëmijën e fqinjit mesditën e sotme, e ka vrarë dhe më pas e ka groposur në oborrin e shtëpisë e tij, është e paralajmëruar. Autori në 2006 së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Por kjo s’i ka ndaluar ata që ta rrëmbejnë vajzën për disa minuta duke e kërcënuar se do ta shëmtonin në pjesë të ndryshme të trupit. Për ngjarjen ata u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim. Liria e 38 vjeçarit i ka kushtuar jetën sot një 8-vjeçari, raporton abcnews.al. Raste të ngjashme të rrëmbimit të fëmijëve, por edhe të vrasjes së tyre, që kanë tronditur vendin, janë disa ndër vite.

Pedofili vrasës Ardian Prrenjasi, rrëmbeu në Laprakë 10 vjeçarin

Mars, 2013-Ardian Përrenjasi njihet si pedofili vrasës. Ai u kap në 2013 pasi kishte rrëmbyer dhe abuzuar me një fëmijë 10 vjeçar në zonën e Laprakës në Tiranë. Ai pranoi të ishte autori i rrëmbimit edhe të fëmijës Julian Cela, të cilin pranoi se e ka vrarë.  Vetë Prrenjasi rindërtoi skenën e rrëmbimit dhe të vrasjes së 11 vjeçarit Julian Cela. Ai tregoi se ka mundur ta fusë në shtëpinë e tij, në Laprakë, një lagje në periferi të Tiranës, ku më pas e ka vrarë duke e mbytur pasi fëmija kishte nisur të bërtiste. Trupin e tij të mbështjellë me batanije e kishte hedhur më pas në një kosh me plehra, ndërsa tha se kishte shkuar të nesërmen në vendgrumbullimin e mbeturinave të kryeqytetit për të verifikuar nëse trupi i fëmijës gjendej apo jo aty.

Për më shumë se tre muaj hetimet për zhdukjen e 11 vjeçarit nuk nxorën asgjë në dritë. Përrenjasi u kap vetëm pas rrëmbimit të fëmijës së dytë, i cili banonte shumë pranë apartamentit ku jetonte maniaku 45-vjeçar, raporton abcnews.al. Policia ka arritur të ndërhyjë në kohë para se ta vriste. Në banesë i është gjetur një litar, i bërë lak, me të cilin dyshohet se do të përpiqej ta mbyste. Fëmija 10 vjeçar është gjetur me shenja dhune në trup dhe dyshohej se me të ishte abuzuar edhe seksualisht. Përrenjasi ishte kapur 5 vjet më parë dhe arrestuar pasi ishte përpjekur të rrëmbente një tjetër fëmijë. Megjithatë atëherë ai u dënua megjithatë vetëm me 60 mijë lekë gjobë.

Vrasja makabre në Palasë, 31 vjeçari u kap me kokën e nipit në dorë

Gusht, 2016– Jorgo Zani, një person me probleme të shëndetit mendor në Palasë të Himarës vrau dhe masakroi një fëmijë 12 vjeçar, të cilin e kishte kushëri. Vogëlushi kishte ardhur nga Greqia për të kaluar pushimet. Zani pak pas krimit ndërroi jetë në spitalin e burgut në Fushë-Krujë ku kreu vetëvrasje. Autori u kap me kokën e nipit të dorë. Drejtori i Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Kujtim Llapi, u shpreh atëherë se 30 vjeçari, ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik në vitin 2015, i përcaktuar me diagnozën “çrregullime të theksuara të personalitetit”, si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.

Dritan Kola mori peng dhe dhunoi të miturin se i hodhi vezë

Dhjetor, 2020-Dritan Kola është dënuar me 2 vite burg për rrëmbimin e një fëmije të mitur në Fier. Kjo histori e pazakontë tronditi vendin pasi fëmija është marrë peng dhe më pas kërcënuar me thikë, sepse kishte qëlluar autorin e ngjarjes me vezë nga ballkoni. Kola e ka kapur me forcë në rrugë fëmijën e mitur dhe e ka tërhequr zvarrë, duke e futur në apartamentin e tij në 29 dhjetor 2020. Rrëmbimi me forcë dhe nën kërcënimin e një thike është parë dhe nga dy fëmijë të tjerë, të cilët kanë vrapuar dhe i kanë treguar ngjarjen gjyshit të fëmijës me inicialet E.S, i cili u kërcënua me thikë dhe goditur me pëllëmbë në fytyrë. Në këtë kohë në derën e apartamentit ka trokitur gjyshi i fëmijës, i cili sapo është hapur dera e shtëpisë, ka vërejtur nipin e tij duke qarë. Në këtë kohë, gjyshi ka marrë përdore nipin dhe është drejtuar në komisariatin e policisë së Fierit duke bërë denoncim. Një pjesë të këtij dënimi e ka shlyer gjatë periudhës së qëndrimit në masën e “arrestit në shtëpi”.

Arrestimi dhe ekstradimi i pedofilit shqiptar, ish-trajneri ngacmoi seksualisht dy të mitur

2015-Ish-trajneri Sokol Metaj, 55 vjeç është dënuar për ngacmim seksual ndaj të miturve. Ai është ekstraduar nga Greqia. Sipas policisë Sokol Metaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burg për veprën penale “Ngacmimi seksual” dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi penal. Më datë 15.11.2015, në afërsi të kalçetove të një kompleksi në Tiranë, në automjetin e tij, i dënuari Sokol Metaj, i cili ishte trajner futbolli, ka ngacmuar seksualisht dy shtetas të mitur, njërin prej të cilëve e kishte nxënës në kursin e tij të futbollit. Njëri prej të rinjve pretendoi se i pandehuri e kishte ngacmuar në vijimësi seksualisht me fjalë dhe me veprime konkrete, duke tentuar të prekë në vende intime. Referuar vendimit të gjykatës, i dëmtuarit K. Gj. është njohur me Sokol Metaj përmes një shokut të tij. Ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit dhe kanë komunikuar disa herë. Sipas të dëmtuarit, gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre, i ka drejtuar pyetje të tilla si p.sh., “A ke qejf të rrish me mua?”, “A të pëlqej?”, “Do më përgjigjesh mua sa herë që unë dua të rri me ty?”. Nga Beklie Koltraka-abcnews.al