Më pak buxhet për bujqësinë, Zusi: Duhet investim për të ardhmen, Sharka: Fermerët po braktisin serat

schedule23:31 - 15 Nëntor, 2021

schedule 23:31 - 15 Nëntor, 2021

Agim Rrapaj, kryetari i këshillit të agrobiznesit deklaroi në “Log.” në ABC së në buxhetin e vitit 2022 që është konsideruar më i madh i të gjitha kohërave, për Bujqësinë është parashikuar vetëm 2% e tij. Ai u shpreh se ndryshimi i fundit i ligjit të TVSH është bërë pa u konsultuar me palët, në shkelje të hapur të ligjit.

“Në 2019 u ndryshua TVSH brenda natës, pa u konsultuar. Neni 5 parashikon parimet për konsultimin publik. Në këtë paketë nuk ka transparencë dhe as ligjshmëri. Asnjë masë nuk është marrë. Këtu kemi një shkelje të hapur të ligjit duke krijuar shqetësim të jashtëzakonshëm te fermerët. Është e pamundur që fermerët ta pranojnë këtë pa u sqaruar. Thuhet që buxheti i vitit 2022 është më i madhi i të gjitha kohërave ndërsa bujqësia ka 2% buxhet. Në 2022 kur kemi këtë moment mjaft të vështirë u përcaktua edhe një shifër për t’u paguar në këtë periudhë. Ne kemi 23% ulje të investimeve të huaja”, deklaroi Rrapaj.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi tha se bujqësia është një sektor që jep shumë kontribut dhe nuk mund t’i akordohet një përqindje kaq e vogël në buxhet. Lidhur me investimet e Kosovës dhe Maqedonisë, Zusi u shpreh se ato ndjekin trendin europian dhe botëror për subvencionin e sektorit të bujqësisë.

“Kontributi që jep bujqësia është diku te 36 deri në 40%. Nuk mundemi që këtë sektor t’i akordojmë vetëm 2, 3%. Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndjekin trendin europian dhe botëror për subvencionin e bujqësisë. Bota sot ka kuptuar që duhet t’i japin para fermerëve që ata të vazhdojnë të qëndrojnë atje. Besoj se kjo ministre i ka konceptet të qarta dhe po ecën në rrugë të duhur. Edhe kjo ideja e akademisë së barinjve nuk është për t’u qeshur. Çudirat ndodhin ndodhin nga Ministria e Financave dhe jo nga ajo e Bujqësisë.

Nëse do japim më shumë para për bujqësinë, siguria ushqimore do formalizohet. Do rritet prodhimi, rriten industritë mekanike. Ato para që na duhen për të bërë rrugët do dalin duke prodhuar më shumë njësi. Është njësoj si në një familje ne të vendosim për të blerë një makinë akullore apo një veturë. Nëse blejmë veturën aty mbaroi historia. Nëse blejmë makinë akullore ka mundësi që mot ta blejmë edhe makinën”, deklaroi Zusi.

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve të Bashkuar Eduart Sharka deklaroi 30% e fermerëve kanë braktisur serat.

“30% e fermerëve kanë braktisur serat. Mua nuk më duhen konceptet e qarta të Ministrisë së Bujqësisë. Kemi dy vjet që paralajmërojnë. Sivjet fermerët kanë marrë më pak fidanë për mbjelljen e sezonit tjetër. Jemi në kontekstin e një krize botërore. Gjithë qeveritë e botës investojnë në bujqësi. Unë e them me bindje, nuk ka injektim më të dobishëm të buxhetit të shtetit se në bujqësi. Në momentin kur një fermer nxjerr produktin dhe e shet nën kosto shoqëria e ka kthyer në skllav”, deklaroi ai.

Laurat Mulliqi, përfaqësues i Shoqatës së Eksportuesve të frutave dhe perimeve tha se nevojitet formalizimi i tregut si dhe fondi i garancisë.

“Marrim 1 ton domate, eksportohet 70% në rastin më të mirë. 30% nuk na njihet as si kompensim. Barazimi i shkallës së TVSH, kjo lidhet me formalizimin e tregut. Ne jemi certifikuar. Me formalizimin e tregut kemi probleme që mund t’i trajtojmë drejtpërdrejtë me fermerin. Pastaj është zyra informuese për fermerët. Fondi i garancisë për ne është shumë i rëndësishëm. Tregtarët janë bërë të rrezikshëm për fermerët. Largimi i fokusit nga bujqësia është e barabartë me largimin e popullit”, u shpreh Mulliqi. /Abcnews.al