Një makinë tip “Toyota” është gjetur e djegur mbrëmjen e sotme në rrugën që shkon në Thumanë, 100 metra larg rrugës nacionale, në një pikë servisi automjetesh. Brenda tij janë gjetur edhe dy kallashnikovë. Dyshohet se automjeti ka lidhje me atentatin e ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë, ku mbetën të vrarë Erigers Mihasi dhe Armando Dumani. Policia bën me dije se targat e tij, rezultojnë të vjedhura në Tiranë.
“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur te “2 rrathët” në Unazë të Re, ju bëjmë me dije se : Grupi hetimor ka bërë identifikimin e dy personave që kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri: Drejtuesi i mjetit shtetasi E. M., 32 vjeç dhe pasagjeri shtetasi A. D., 26 vjeç.
Ndërkohë në Thumanë është gjetur një automjeti tip “Toyota” duke u djegur dhe dyshohet se është automjeti që kanë përdorur autorët e ngjarjes. Targat e mjetit të djegur rezultojnë të vjedhura në Tiranë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e ngjarjes si dhe grumbullimin e provave që çojnë në identifikimin e autorëve të ngjarjes”, njofton policia.
Policia ka ngritur grupe të shumta kontrolli në hyrje dhe dalje të Tiranës për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Ngjarja ndodhi në zonën e njohur “Dy rrathët” në Astir, kur viktimat u qëlluan me breshëri plumbash nga një automjeti në lëvizje teksa po ecnin me një mjet tip “Audi A 8”. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë. /Abcnews.al