Në botën e kuzhinës shqiptare, emri Alfred Marku prej vitesh është bërë sinonim i pasionit, inovacionit dhe herë pas here edhe i ndonjë keqkuptimi viral që ndodh vetëm kur bëhesh kaq i njohur.
Me mbi 36 vite përvojë dhe me një rrugëtim të gjatë nga Italia në Shqipëri, Alfred Marku nuk është thjesht një kuzhinier, ai është një ‘tregimtar’ gastronomik që gatuan me kujtime, me shije, intuitë të fortë, guxim për të provuar dhe që i jep shijen e duhur edhe situatave më pikante jashtë kuzhinës.
Në mesin e verës, një video bëri xhiron e rrjeteve sociale: një klient nga Londra, i habitur dhe disi i tronditur, paguan 950 euro për një rizoto me fruta deti në restorantin e Alfred Markut.
“Gabimisht u shtypën dy zero më shumë nga fatura reale,” – sqaroi më vonë vetë shefi, duke qeshur me gjithë situatën.
“Videoja ishte një inskenim, por rezultoi më e suksesshme se ç’mund ta kishim imagjinuar,” thotë ai. “Më mori dhe banka në telefon për të sqaruar situatën, por gjithçka ishte shaka.”
Një tjetër “specialitet” i servirur pa kërkesë ishte lajmi se Alfred Marku ishte dënuar me 10 vite burg për mashtrime financiare. Vetë ai e përjetoi këtë si një situatë për të qeshur dhe për të qarë.
“Është për të ardhur keq kur kërkon emrin tënd dhe të del një tjetër person që s’ka lidhje me ty. Dhe kur më pyetën, thashë: ‘Jo, i arrestuari nuk jam unë!’ Por çudia ishte që edhe ChatGPT më përfshinte te informacionet për të!” – tregon shefi, duke nënvizuar absurditetin e lajmeve të pavërteta.
Ndër momentet më të paharrueshme dhe ndoshta më të dhimbshme vizualisht për Markun mbetet torta ikonike e Pavarësisë, një krijim madhështor që përfundoi në një “shkërmoqje masive” nga turma.
“Kur pashë si iu sulën tortës, sikur të mos kishin parë ëmbëlsirë ndonjëherë, mbeta pa fjalë. Më la një shije të keqe që nuk më ka ikur as pas më shumë se një dekade,” kujton ai.
Karriera e Alfred Markut fillon në vitin 1996 në Itali, ku ai mëson zanatin dhe rritet profesionalisht. Në 2006 rikthehet në Shqipëri. Për Alfred Markun, pjata nuk është vetëm një ushqim, është një eksperiencë. Dhe këtë e kanë provuar edhe emra të njohur të politikës shqiptare, si Edi Rama, Sali Berisha, ish-presidenti Bamir Topi dhe shumë të tjerë.
Ai ruan kujtime të veçanta për secilin prej tyre, por ajo që e dallon është fakti që nuk e ka përdorur asnjëherë emrin e tyre për të bërë marketing. “Pjata ime ka folur vetë,” – thotë shef Alfred Marku.

