Në 24 orët e fundit janë shënuar 9 raste të reja me koronavirus në vendin tonë. Harta shpërndarjes së rasteve pozitive ashtu si në ditët e fundit vijon të ndahet mes Tiranës dhe Krujës.
Mes 9 rasteve të reja, 5 kanë rezultuar pozitiv në Tiranë ndërsa 4 në Krujë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 782 persona. Në 24 orët e fundit 18 persona janë shëruar nga koronavirusi, duke e çuar në 488 numrin e tyre.
LEXO EDHE: Durrësi dhe Vlora dalin nga harta COVID, të gjithë të shëruar
“Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vendin tonë paraqitet e qëndrueshme. Harta e të shëruarve është zgjeruar në të gjithë vendin. Për këtë arsye, përvec zonave që kanë qenë të paprekura nga COVID 19, është zgjeruar harta e zonave të gjelbërta, edhe me ato bashki që momentalisht paraqesin risk më të ulët të transmetimit të infeksionit.
Aktualisht në vendin tonë janë 263 pacientët aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.
Ky është nje tregues që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive
Bashkia, Raste Aktive
Tiranë, 100
Shkodër, 24
Krujë, 93
Durrës, 0
Fier, 1
Kurbin, 27
Korçë 1
Elbasan, 2
Kukës, 8
Lezhë 1
Has, 0
Kavajë, 0
Lushnje 1
Vlorë, 0
Pukë, 0
Mirditë, 2
Rrogozhinë, 0
Tropojë, 0
Berat 2
Mallakastër, 0
Mat, 1
Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.
Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar, vigjilenca duhet të jetë maksimale.
Të moshuarit apo dhe qytetarët me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të komunikojnë me mjekun e familjes për recetat me rimbursim, duke evituar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me institucionet shëndetësore, përvec rasteve kur është e domosdoshme.
Për pyetjet që mund të keni për sëmundjet kronike apo COVID19 ju lutem telefononi në linjën e gjelbër 0800-40-40. Por nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 duhet të telefononi numrin e urgjencës 127.

