Tashmë që janë publikuar disa versione të projektit franko – gjerman për Kosovën, të shumta janë nenet që po diskutohen në rrethe mediatike, por jo vetëm.
Në një bashkëbisedim në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, autorja e emisionit ‘Ballkan’ Linda Karadaku bëri të ditur që në këtë projekt është e përfshirë dhe një pikë për të drejtat ligjore për kishën serbe, por që nuk e përmend askush.
Sipas saj: Të drejtat ligjore për kishën, nuk e përmend askush, as vetë Serbia nuk po e përmend, sepse është një ndër asët nën mëngë që Serbia do ti nxjerrë, do të jetë një nga ato momentet që shqiptarët do ta kenë të vështirë të negociojnë. Mjafton të kujtojmë rastin e Malit të Zi dhe me siguri që në një të ardhme të afërt kjo do të jetë një çështje shumë e diskutuar.
Ndër pikat e tjera të projektit franko – gjerman, Karadaku përmendi nenin 4, e cila sipas saj është një pikë interesante, e cila thotë që Serbia nuk mund ta përfaqësojë Kosovën as në forume apo në marrëveshje ndërkombëtare.
Gjithashtu neni 7, e cila njeh ekzistencën e një protokolli shtesë, do duhej të shikonte mënyrën e zbatimit, sesi do të zbatohet ai ligj, dhe nuk e di edhe nga burimet tona se çfarë do të përmbajë ky protokoll shtesë. Është neni 8 që njeh misionet e përhershme, e cila në fakt nënkupton ambasadat respektive.
Për Karadakun ‘neni 9, ka nevojë për një sqarim të mëtejshëm, pasi ka të bëjë me marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale të cilat mbesin në fuqi. Kjo është shumë e rëndësishme, do të ishte shumë problem nëse do të mbeste në fuqi marrëveshja për Asocacionin’.
Sipas autores së emisionit Ballkan Linda Karadaku ‘Kurti ka thënë që projekti franko – gjerman është një bazë e mirë, por ka thënë që Serbia e ka refuzuar’ ndërkohë që Brukseli me një deklaratë zyrtare e ka mohuar këtë gjë. Sipas Brukselit, Serbia nuk e ka refuzuar projektin franko – gjerman, dhe është përgjigjur që për refuzimin apo jo duhet pyetur Serbia./Abcnews.al/