800 milion euro borxhe, futbolli italian në krizë totale financiare

schedule18:55 - 30 Mars, 2021

schedule 18:55 - 30 Mars, 2021

Seria A është në krizë të thellë financiare, dhe kjo jo për shkak të koronavirusit. Borxhet janë dyfishuar në 10 vitet e fundit duke arritur në gati 800 milionë euro

Ankesat kanë qenë të shumta së fundmi dhe mendimi i përgjithshëm mbetet që sapo të kalojë kjo “flamë”, gjithçka do të kthehet si më parë.  Në Serinë A, për fat të keq, nuk paska një “kohë të bukur të dikurshme” sepse lajmet janë që borxhet në kampionatin e madh në Apenine janë bërë “mal” shumë kohë para Covid-19.

“La Gazzetta dello Sport” bën një investigim dhe nxjerr se detyrimet e klubeve arrijnë në 784 milionë euro, pra gati 800 milionë, dhe nga këto vetëm 100 milionë janë shkaktuar kohët e fundit nga epidemia. Çfarë ka ndodhur në kampionatin që dikur quhej “më i bukuri në botë”?

Në 10 vitet e fundit borxhet qenkan dyfishuar.  Logjika ta do që këto kohë shpenzimet kanë qenë më të mëdha sesa të ardhurat, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur standardet e së kaluarës, kur Italia nuk ishte kaq në krizë sa sot.

Klubet italiane nuk janë aq tërheqës për të huajt sa që të investojnë siç bëjnë në Angli, apo kultura nuk është e tillë si në Gjermani ku nuk i hyjnë aspak këtyre aventurave edhe duke e ditur se nuk do ta fitojnë kurrë Champions League (me përjashtim të Bayern Munich).

Vetëm 3 klube në elitën italiane nuk kanë borxhe ndaj bankave dhe këto janë Cagliari, Fiorentina dhe Napoli. Gjithsesi, këto janë përjashtime nga rregulli. Blerjet e lojtarëve kanë qenë të ekzagjeruara, me shpresën për të rritur të ardhurat.

Gjithsesi, edhe klubet më të mëdhenj mbështeten tek yje të vjetër në moshë, si Zlatan Ibrahimovic te Milani apo Cristiano Ronaldo te Juventusi. Një përjashtim është Interi, ku Lukaku është në moshën optimale, ashtu si Lautaro apo Hakimi. Gjithsesi, edhe zikaltërit patën krizë financiare për shkak të pronarëve kinezë, madje u vonuan rrogat.

Nuk është se nuk ka shembuj pozitivë. Atalanta është një i tillë dhe prej 4 sezonesh del me bilanc me fitim, për shkak të zgjedhjeve në blerjen e lojtarëve, të modelit të klubit dhe të trajnerit Gasperini. Bergamaskët janë prej 2 sezonesh në Champions, ndërsa me bilanc pozitiv janë edhe Kaljari, Verona dhe Napoli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!