80 % e mjekëve në Klinikën Infektive në Prishtinë probleme me ankthin e depresionin

schedule09:41 - 12 Qershor, 2021

schedule 09:41 - 12 Qershor, 2021

80 për qind e personelit shëndetësor në Klinikën Infektive kanë probleme me ankthin dhe depresionin për shkak të lodhjes nga puna gjatë kohës së pandemisë. Prandaj nga ky komunitet kërkohet që të angazhohen psikologë klinikë për ta trajtuar këtë kategori.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Izet Sadiku, u.d drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë se sipas hulumtimit që është bërë me punonjësit e kësaj klinike, 40% e personelit shëndetësor kanë treguar gatishmërinë që të largohen nga puna për shkak të stresit dhe izolimit gjatë pandemisë në klinikë me pacientë.

“Tani ka filluar të diskutohet edhe më shumë se mbas kalimit të pandemisë do të ketë probleme shëndetësore sidomos të nivelit të shëndetit mendor dhe sigurisht kjo do të reflektojë më së shumti në personelin shëndetësor që është marrë qe 15 muaj me pacientët me Covid-19 dhe kanë pasur presion më shumë. Një hulumtim që është bërë para një muaji me punëtorët e Klinikës Infektive është konstatuar që 80% e tyre kanë treguar se kanë probleme qoftë ankth, probleme me gjumin dhe rreth 40% e tyre kanë thënë që ndoshta nuk është vendi më për të punuar në klinikë. Kjo tregon për një gjendje të rëndë dhe unë mendoj që në një të ardhme me mendua me punua që me bo programe të posaçme të trajnimit psikoterapeutike për trajtimin e stafit që kanë punuar në klinikat Covid-19. Ne prej 13 marsit të vitit 2020 që i bie 15 muaj dhe deri para një jave dite kemi pasur vetëm nga 5 ditë pushim dhe shumicën e kohës kemi qenë të izoluar se të tjerët dhe kemi pasur rezerva m’u taku me familjar që të mos e bartnim virusin. Kjo është një stres që të mban në ngarkesë psikologjike. Edhe ajo e bënë të vetën kur e she një pacient që nuk po arrini mi dhënë ndihmë”, shtoi Sadiku.

Që nga fillimi i pandemisë Kosova është përballur me virusin Covid-19, i cili ka shkaktuar lodhje psikike te personeli mjekësor, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu.

Madje, ai tha se kushtet e rënda të punës, mungesa e mjeteve të nevojshme mund të ndikojë në largimin e punëtorëve shëndetësor prej sektorëve publik dhe largimin e tyre jashtë Kosovës.

“Janë dy efekte të cilat po njihen edhe botërisht tashmë si efekte anësore të punës së gjatë të personelit mjekësor sidomos ata të cilët janë marrë intensivisht por që kanë qenë në front të parë me pacientët e covidit. Po ashtu janë problemet psikologjike të cilat janë përballë rasteve me depresion, raste me lodhje psikike për shkak të kushteve të dobëta të punës dhe mos menaxhimit të orëve të gjata të punës së një kategorie. Dhe këto do të japin efekte afatgjata, si largimi i punëtorëve shëndetësor prej sektorëve publik dhe gjenerata që vjen largimi i mjekëve jashtë Kosovës. Të gjitha kanë qenë kombinim i kushteve të rënda të punës, mungesës së mjeteve të punës dhe normal valët një pas një të pacientëve me Covid-19”, shtoi Sejdiu.

Ai shtoi se për herë të parë ka parë mjekë, specialist me përvojë kur kanë qarë për shkak të stër ngarkesës në punë dhe izolimit nga familja.

Mes tjerash, Sejdiu thotë se nëse Kosova përballet edhe me një valë të katërt me siguri që do të shkaktojë dëme edhe në ofrimin e shërbimeve apo pakësimin e mjekëve.

Sipas tij, qeveria dhe institucionet shëndetësore duhet të merrem më shumë me këto probleme në mënyrë që të angazhojnë psikologë klinikë që të punojnë me punëtorët shëndetësor ndryshe sistemi mund të pësojë.

“Lodhja e tepërt, stër ngarkesat, lodhjet psikike, demoralizimi krejt këto ndikojnë në rënien e imunitetit i cili hap dyer për një infektim të mundshëm në rast se dështon imuniteti qoftë i fituar qoftë edhe përmes vaksinave. Për herë të parë kam parë mjekë, specialist me përvojë kur kanë qajtë. Një për shkak të stër ngarkesës në punë dhe izolimi nga familja. Kam frikë se nëse kemi një valë të katërt me siguri që do të shkaktojë dëme edhe në ofrimin e shërbimeve apo pakësimin e këtyre mjekëve të cilët do të ikin këtyre lëmive me të cilat do të përballem. Qeveria ka bërë shumë pak në këtë drejtim dhe mendoj se tash është koha e fundit që institucionet shëndetësore duhet të merren me këto probleme dhe duhet t’i angazhojmë intensivisht psikologët klinikë dhe të punojmë me këta punëtorë shëndetësor sepse sistemi mund të pësojë”, tha ai.

Kosova nuk duhet të relaksohet por të përgatitet sepse tashmë kur valët shpeshtohen është mundësia që rreziku i stërlodhjes të rritet në nivel të ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

“Me çfarë mase ose fuqie do të vijë vala e katërt. Por gjithsesi nuk duhet të relaksohemi dhe mendoj që institucionet duhet të mobilizohen dhe të bëjnë një analizë për lëshimet që kanë mundur të bëhen në sistem dhe të përgatitemi. Gjatë gjithë kohës në pritje të valës së ardhshme kemi thënë se jemi të përgatitur por tash kur valët shpeshtohen dhe rriten është rreziku i stërlodhjes në nivel të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të punëtorët shëndetësor”.

Infektologu Ilir Tolaj theksoi se personeli shëndetësor do të ballafaqohet me stresin postraumatik për një kohë të gjatë.

“Personeli shëndetësor është pjesë e komunitetit njerëzor prandaj pasojat janë të ngjashme. Çdo pandemi ose çdo situatë e jashtëzakonshme që e godet njerëzimin pas vetes lënë një stres me përmasa të caktuara dhe afatgjate. Edhe personeli shëndetësor do të ballafaqohet me stresin postraumatik për një kohë të gjatë”, shtoi Tolaj për EO.

“Shumica e personelit shëndetësor në kohën e kulmit të valëve të pandemisë ka qenë 100% e angazhuar rreth këtyre pacientëve. Kuptohet tash situata është më e lehtë dhe relaksi është i mirëseardhur. Pasojat nuk kanë të bëjnë vetëm me numrin e pacientëve por janë afatgjata edhe kur të tërhiqet pandemia në tërësi pasojat do të mbesin. Ne jemi ende në fazat fillestare të vlerësimit të pasojave të cilat i ka shkaktuar pandemia në shëndetin mendor dhe kjo është përgjegjësi e atyre që merren me shëndetin mendor që ta vlerësojnë situatën dhe të marrin masa”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!