Kosova ka lënë pas Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit. Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit vlerëson se shteti kosovar, ka kapacitete të mjaftueshme për të arrestuar dhe proceduar penalisht individët e dyshuar për terrorizëm, ndërsa Shqipëria çalon kur bëhet fjalë për sistemin gjyqësor dhe koordinimin mes agjencive ligjzbatuese.
Korrupsioni në agjencitë ligjzbatuese dhe gjyqësori i dobët kanë minuar përpjekjet e Shqipërisë për të goditur terrorizmin në të gjitha nivelet. Kështu thotë raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2017, ku vlerësohet se Shqipëria ka dështuar në procedimin ligjor të të dyshuarve për terrorizëm. Gjithashtu, dokumenti zyrtar vë në dukje se mungesën e shkëmbimit të informacionit mes agjencive qeveritare dhe dështimin e tyre për t’u koordinuar me njëra-tjetrën. Për të njëjtat aspekte, Departamenti i Shtetit vlerëson sistemin ligjor të Kosovës, i cili sipas raportit është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste.
Raporti vë në dukje se, gjatë vitit të kaluar autoritetet kosovare vijuan gjykimet dhe hetimet për 51 të dyshuar dhe ngritën aktpadi të reja ndaj 17 personave të tjerë për akuzën e terrorizmit. Sidoqoftë, raporti vjetor vlerëson mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë në aleancën globale kundër Shtetit Islamik, si dhe përpjekjet e administratës shqiptare për penalizimin e individëve të lidhur me terrorizmin, bllokimin e transaksioneve për mbështetjen financiare të ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimin e rekrutimeve të reja në organizatat terroriste. Në këtë linjë, për Kosovën thuhet se goditja e terrorizmit po intensifikohet, por situata e sigurisë dhe ajo politike në veri kanë kufizuar kapacitetet e qeverisë për të ushtruar autoritetin në këtë rajon.
Raporti vlerëson aftësinë e treguar nga agjencitë qeveritare në parandalimin e përfshirjes së individëve në konfliktet e armatosura dhe strategjinë e riatdhesimit të qytetarëve. Në dokumentin e Departamentit të Shtetit saktësohet se në tërësi 403 qytetarë kosovarë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me ISIS ose frontin Al Nusra, nga të cilët 74 kanë vdekur në luftime, 133 janë kthyer në vend, ndërsa 196 të tjerë vazhdojnë të jenë të pranishëm në zonat e luftës, përfshirë këtu 40 fëmijë të lindur atje./abcnews.al