45.9 gradë celsius ishte rekordi i temperaturave që u vendosën në Francë këto ditë me valën e të nxehtit afrikan që mbuloi gjithë Europën. 7 viktima u shënuan në gjithë kontinentin, në Francë, Itali e Spanjë.
Pasojë e një moti të tillë janë zjarret masive në pyjet e Katalonjës, në veri-lindje të Spanjës.
Në Paris e qytete të tjera të Francës, banorët iu drejtuan plazheve dhe shatërvanëve për t’u freskuar gjatë ditës. Shumica e institucioneve arsimore u mbyllën, pasi nxënësit dhe studentët e kishin të pamundur të vijonin procesin mësimor. Vapë përvëluese edhe në Berlin.
Për ekspertët e klimës, kjo vapë përvëluese është e parakohshme për qershorin, ka zgjatur më shumë se zakonisht dhe është pasojë e ngrohjes globale nga aktiviteti njerëzor.
“Ky i nxehtë ekstrem vjen për faktin se është ngadalësuar kalimi i rrymave të mëdha të ajrit që lëvizin nga skajet drejt qendrës së globit, ndaj dhe presioni i lartë dhe i ulët ngelet në një vend për një kohë më të gjatë dhe kjo sjell temperatura të larta ekstreme, zjarre dhe thatësirë”.
Pasojë e ngrohjes globale është edhe ky breshër i pazakontë në Guadalahara në Meksikën qendrore, ku pas një stuhie të fuqishme, breshëri arriti një nivel prej mbi 1 metër.
Tv Klan