Nga Esiona Konomi
Marrëveshja e 5 qershorit nuk ishte vetëm një dakordësi për Kodin Zgjedhor. PD mori garanci që mazhoranca në Kuvend do të ndërhynte duke ndryshuar një sërë ligjesh për të luftuar shitblerjen e votës si dhe për të aktivizuar Prokurorinë e Posaçme SPAK për të hetuar krimet zgjedhore.
Alket Hyseni është një prej deputetëve që ka firmosur nisjen e këtyre ndryshimeve në Kuvend. Ai thotë për ABC Neës se PS i qëndron çdo zotimi të thënë në marrëveshjen e udhëhequr nga ndërkombëtarët.
“Nga këto ligje që do të kalojmë do të përfitojë opozita jashtë parlamentare, 5 qershori ka qenë për ne diçka që nuk e kemi bërë me dëshirë, por i qëndrojmë deri në fund dhe për këtë arsye të gjitha ato ligje që janë pjesë e paketës do të kalojnë. Janë pothuaj gati të gjitha projektligjet, fillojnë shqyrtimin, qoftë ligjet që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës. Çdo aspekt që kemi rënë dakord në atë marrëveshje do të përkthehet në ligj dhe do ta kalojmë në një kohë sa më të shpejtë”, deklaron ai.
Teksa fushata zgjedhore ka filluar përpara afateve ligjore, Hyseni beson se ligjet do të jenë gati në kohën kur axhenda elektorale të fillojë zyrtarisht.
“Unë mendoj se jemi brenda afateve. Detyrimet që lindin nga këto ligje janë kryesisht për periudhën e fushatës zgjedhore, prandaj kemi kohë për t’i kaluar në këtë periudhë. Unë jam i bindur se do t’i kalojmë brenda muajit nëntor. Të mos ju lëmë pretekste aktorëve që kontestojnë procesin zgjedhor”, thotë Hyseni.
Ndërhyrja në këto ligje kërkon në disa raste 84 vota, të cilat PS nuk i zotëron e vetme por nuk ka vështirësi t’i gjejë mes opozitarëve të rinj.
Ndërkohë, sipas Kodit Zgjedhor, pas 25 dhjetorit qeveria nuk mund të ndërmarrë veprime joshëse për elektoratin si rritje pagash e pensionesh, amnisti, shpërndarje legalizimesh, etj. Cdo aktivitet qeveritar do të monitorohet nga KQZ e nëse ajo i dyshon si elektorale, media nuk do të lejohet t’i transmetojë ato. /abcnews.al