Nga Erblina Mile
Shqiptarët mbeten një ndër popujt më të rrezikuar nga varfëria në Europë. Të dhënat e INSTAT mbi nivelin e jetesës tregojnë se gjatë vitit 2020 janë 621 mijë e 504 persona në kufirin e rrezikut të varfërisë.
E përkthyer në shifra treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është 21.8%, duke pësuar një rënie të lehtë prej 1.2 % krahasuar me vitin 2019 .Në se e krahasojmë këtë të dhënë me vendet e rajonit Shqipëria rezulton se ka mundësinë më të lartë për familjet për të qenë të varfra dhe lë pas vetëm 3 shtete Turqinë,Rumaninë dhe Bullgarinë.
Ndërsa mbetet shumë pas vendeve të Europës që e kanë tregueesin e varfërisë disa herë më të ulët. Për Bashkimin Europian ky tregues vitin e kaluar ishte 17,1%. Treguesit e varfërisë në anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, bazohen në konceptin e varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare numrin e pjesëtarëve në familje ) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.
Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër në bazë të ardhurave për një person në vitin 2020 është vlerësuar me 186.242 lekë, në krahasim me 170.785 lekë që ishte në vitin 2019.