Emisioni VETTING/ Nga Luljeta Progni
Janë rreth 6 mijë persona të zhdukur gjatë diktaturës komuniste; të ekzekutuar, të vdekur në hetuesi e në qelitë e burgjeve komuniste, apo të vdekur nëpër kampet e internimit.
Prokuroria është një ndër institucionet që do të duhet të kishte një përgjigje për këto pyetje. Dhe në fakt përgjigja e vetme e prokurorisë për rreth 6 mije raste të zhdukjes me forcë gjatë diktaturës, është kjo:
“Këta persona janë marrë nga organet e ndjekjes penale, janë gjykuar nga gjykatat e dënuar me ligjet e kohës,”. Është kjo deklarata e prokurorit Sokol Stojani, Drejtor për Bashkëpunimin Institucional pranë Prokurorisë së përgjithshme, dhënë gazetarit të BIRN Gjergj Erebara.
Lexo edhe: “Ku është trupi i tim eti”, amaneti që shoqëroi Juli Shllakun deri në vdekje për babanë e pushkatuar
I referohemi artikullit të BIRN sepse Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar kërkesën e përsëritur të Vetting për rolin e munguar në procesin e gjetjes së të zhdukurve gjatë diktaturës.
Pyetur nga BIRN se pse prokurorët nuk hetojnë çështjet e zhdukjes me forcë gjatë diktaturës, Stojani iu referua Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2008.
“Zhdukja me forcë në kuptim të konventës dhe Kodit Penal ka kuptimin e marrjes me forcë nga autoritetet shtetërore dhe mohohet fakti i vendndodhjes se tyre. Pra, ka kuptim te ndryshëm nga mostregimi i varrit ku prehet personi i dënuar me vdekje apo i vdekur gjatë fazës së vuajtjes së dënimit. Identifikimi i vendndodhjes dhe procedurat e gjetjes së eshtrave, në kuptim të marrëveshjes me ICPM dhe ligjeve tona, janë hetime administrative,” tha Stojani për Birn.
Prokurori mohon kështu çdo rol në procesin e kërkimit të të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës. Por qëndrimi i Prokurorisë lidhur me personat e zhdukur me forcë duket se nuk qëndron sepse regjimi komunist nuk ka respektuar as ligjet e veta në procesin e vrasjes dhe zhdukjes me forcë të shtetasve shqiptarë./ Abcnews.al