6 mijë € ryshfet për lirimin e trafikantit, burri i gjyqtares kallëzon prokuroren: Fshehu përgjimet

schedule18:07 - 28 Janar, 2021

schedule 18:07 - 28 Janar, 2021

Arben Cara, burri i gjyqtares Mimoza Margjeka ka kallëzuar penalisht prokuroren e SPAK-ut, Enkeleda Millonai duke e akuzuar për shpërdorim detyre, fillimin i paligjshëm i ndjekjes penale dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Ai thotë se prokurorja ka fshehur përgjimet deri në momentin aktual, të cilat sipas tij zbardhin ngjarjen dhe implikojnë në mënyrë të dukshme persona të tjerë. “Nga ana e Prokurores janë shtrembëruar dukshëm faktet dhe provat duke aluduar për fakte të cilat në të vërtetë nuk ekzistojnë dhe nuk kanë ndodhur kurrë” akuzon ai, raporton gazetarja e ABC, Glidona Daci.

Gjithashtu, Cara që është drejtues i Departamentit të Drejtësisë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, aktualisht i pezulluar nga detyra shprehet se prokurorja në bashkëpunim me Oficerin e Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj orientojnë dhe kryejnë hetimet vetëm “në drejtim të gjyqtares Mimoza Margjeka (gruaja e tij) duke implikuar në mënyrë të qëllimshme atë pa asnjë provë dhe në mënyrë të hapur duke manipuluar dhe interpretuar veprimet dhe faktet në implikim dhe rëndim të pozitës së Arben Cara dhe Mimoza Margjeka”.

Por si është historia?  Arben Cara u akuzua se mori një shumë prej 6 mijë eurosh duke ia dhënë bashkëshortes së tij, gjyqtare për të ndryshuar masën e sigurisë për një person të arrestuar për trafik klandestinësh. Aktualisht Cara ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa gruaja në detyrim paraqitje. (Lexo ketu te gjitha lajmet per dosjen).

KALLZIM PENAL I PLOTE               

Drejtuar:  Prokurorise pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqsore Tiranë.

Per dijeni:  Shkëlqesisë së tij Z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë

Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Tiranë.

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Tiranë.

Lenda:  Kallëzim penal ndaj Prokurores Enkeleda Millonai, Prokurore pranë Prokurorise së Posaçme Antikorrupsion, Tiranë.

Nga: Arben Cara, Drejtues i Departamentit të Drejtësisë, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, aktualisht i pezulluar nga detyra.

Baza Ligjore: Neni 283 i K.Pr.Penale dhe nenet 248, 313, 301 e 25 të K.Penal

Kërkoj: Ndjekje penale për prokuroren Enkeleda Millonai për veprat penale “Fillim i paligjshem i ndjekjes penale” parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim, parashikuar neni 301 e 25 i Kodit Penal.

I nderuar Zoti Prokuror,

– Nëpërmjet këtij kallezimi kërkoj regjistrimin e procedimit penal dhe fillimin e hetimeve ndaj Prokurores se Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Enkeleda Millonai, për veprat penale: “Fillim i paligjshëm i ndjekjes penale” parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim neni 301 e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal,  Prokurorja këto vepra penale i ka konsumuar përgjatë veprimtarisë së saj hetimore e proçeduriale të proçedimit penal nr 186, të vitit 2020. Në hetimin e kësaj çështje Prokurorja nuk është udhëhequr nga zbatimi i Kushtetutës dhe i Ligjit, por ajo ka orjentuar dhe devijuar hetimin në mënyrë të qëllimshme duke penguar kështu zbulimin e së vërtetës.

Në këtë hetim Prokurorja ka fshehur përgjimet deri në momentin aktual, përgjime të cilat zbardhin ngjarjen dhe implikojnë në mënyrë të dukshme persona të tjerë të cilët nuk rezultojnë të jenë shenuar si persona të cilëve u atribuohet vepra penale. Nga ana e Prokurores janë shtrembëruar dukshëm faktet dhe provat duke aluduar për fakte të cilat në të vërtetë nuk ekzistojnë dhe skanë ndodhur kurrë. Në mënyrë të qëllimshme janë anashkaluar dhe devijuar hetimet në mënyrë që të mbrohen personat e vërtetë përgjegjës dhe të goditemi ne (Arben Cara dhe Gjyqtarja Mimoza Margjeka), që nuk kishim asnjë dijeni dhe lidhje me këtë çështje dhe me faktin se çfarë po ndodhte me këtë çështje.

Nga aktet e përgjimit ka rezultuar se mund të kishte ndërhyrje në këtë çështje, por këto ndërhyrje pretendohej të bëheshin tek kryesuesi i çështjes Gjyqtari Olsi Xhavella. Në përgjime thuhet se Gjyqtari Olsi Xhavella do te takohet me disa persona të cilët pretendonin të ndërhynin në këtë çështje, ku një ndër ta cilësohet si sekseri i Olsit dhe është avokati Leonard Pasho (avokat në Korçë). Por për çudinë e këtij hetimi në momentin që do bëhej takimi ndërmjet Gjyqtarit Olsi Xhavella dhe sekserit të tij, me urdhër të Oficerit të Policisë Gjyqësore ndërpritet vëzhgimi. Më vonë nga përgjimet rezulton se Olsi Xhavella është takuar me sekserin e tij dhe i ka lënë afat për ti kthyer përgjigje për një moment të dytë, pasi duhej të shikonte dosjen. Ka qenë përgjegjësi e Prokurores Enkeleda Millonai që drejtonte hetimet që në këtë moment të merrte masat ndaj Oficerit të Policisë Gjyqësore (që drejtonte vëzhgimet) nëse ajo nuk po bashkëpunonte me të për të fshehur dhe moszbuluar të vërtetën.

Nga përgjimet rezulton se avokatja Eralda Brahimasi, e cila mbron të arrestuarin tjetër të po kësaj çështje (Adi Mullallin), pretendohet se i ka dhënë Kryegjyqtarit (kryesuesit të trupit gjykues Olsi Xhavella), shumën 7500-euro për të liruar të mbrojturin prej saj Adi Mullalli. Këtë e thotë Nejtoni (Nejton Bali) në përgjimet e datës 24.07.2020.

Në këtë moment Oficeri i Policisë Gjyqësore, duhej të kërkonte të futej nën përgjim dhe vëzhgim avokatja Erlada Brahimasi, sikurse ka kërkuar dhe vepruar me avokatin Skënder Demiraj, i cili rezulton se është futur në përgjim dhe vëzhgim duke u nisur nga fjalët që Nejtoni ka thënë në përgjimet e datës 07.07.2020. Pse është ndjekur një standart i dyfishtë në hetimin e kësaj çështje. Ndryshe me avokatin Skënder Demiri i cili përgjohet dhe vëzhgohet dhe ndryshe me avokaten Eralda Brahimasi e cila nuk përfshihet fare në këtë proçes, pavarsisht se nga përgjimet ka elementë të veprës penale të Korrupsionit aktiv të Gjyqtarit. Ka qenë detyrë e Prokurores si drejtuese e veprimtarisë hetimore të nxirrte menjëhere autorizimin për vëzhgimin dhe urdhër për përgjimin e avokates Eralda Brahimasi.

Në këtë mënyrë, Prokurorja në bashkëpunim me Oficerin e Policisë Gjyqësore ka penguar zbulimin e së vërtetës, pasi vëzhgimi dhe përgjimi do ta zbardhnin këtë fakt. Prokurorja për të mbuluar këtë të vërtetë dhe për të dhënë idenë sikur po heton i merr avokates Erlada Brahimasi telefonin vetëm në muajin tetor, pra 2 (dy) muaj e gjysëm pas ngjarjes. Nga tabulatet e telefonit të kësaj avokate ka rezultuar se ajo komunikuar me tel me kancelaren e Gjykatës së Apelit Korçë Geralda Kasuli.

Prokurorja nuk bën hetime as mbi këtë fakt por thjesht mjaftohet me pohimin e avokates se e ka marrë Kancelaren në telefon thjesht për datën e gjyqit. Pse nuk është marrë në pyetje kancelarja e gjykatës në lidhje me këtë fakt, pse nuk janë marrë kamerat e gjykatës për të kqyrur nëse avokatja ka qenë në Gjykatën e Apelit Korçë në datën që është bërë telefonata. Pse nuk janë verifikuar qelizat e telefonit të Avokates pasi do të tregonin vendodhjen e saj gjatë ditëve që pretendohet se ajo ka ndërhyrë tek Gjyqtari Kryesues Olsi Xhavella. Nga të dhënat rezulton se Oficeri i Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj është me origjinë nga Gjirokastra. Po ashtu edhe avokatja Eralda Brahimasi rezulton të jetë me origjinë nga Gjirokastra. Mos ka qenë ky shkaku që ajo nuk është përgjuar, vëzhguar dhe hetuar?

Nga përgjimet e datës 24.07.2020 Nejtoni i thotë nënës së tij se “Drejtori e ka lënë të takohet në darkë me gjyqtarin”. Pse nuk është vëzhguar Drejtori i Burgut Drenovë Altin Gusho me datën 24.07.2020, sikurse rezulton nga përgjimi? Në deklarimet e tij Drejtori pranon se e njeh Gjyqtaren Etleva Temo dhe vetë kjo Gjyqtare në deklarimet e saj thotë se Drejtorin e Burgut të Drenovës Altin Gusho, e ka patur shok klase (të dy këta janë nga Pogradeci). Drejtori i Burgut Drenovë është takuar dhe ka ngrënë drekë në Boboshticë me shtetasin Dodë Duka (ish kolegun e tij), i cili rezulton se i ka ndërhyrë për çështjen e Orjon Balit. Në këtë drekë rezulton se ka qenë i pranishëm shtetasi Nejton Bali (vëllai të arrestuarit Orjon Bali).

Prokurorja mbi bazën e këtyre fakteve duhej të mbante të njëjtin standart siç ka bërë me personat e tjerë, të dispononte me autorizim për vëzhgimin dhe vendim për përgjimin e bisedave të tij (për Altin Gushon). Ti merrej telefoni dhe ti bëhej ekspertize dhe të merreshin qelizat e telefonit, pasi kështu do të zbardhej e vërteta e cila është fshehur qëllimisht nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai.

Prokurorja në këtë rast është mjaftuar vetëm me pyetjen e shtetasit Altin Gusho dhe pohimet e tij i merr të mirëqena. Edhe me kaq fakte dhe prova që ka në dosjen e këtij proçedimi, shtetasi Altin Gusho ka konsumuar e elementët e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të Paligjshëm”, parashikuar nga neni 245/1 të K.Penal. Po të kryheshin në kohë veprimet hetimore të cituara më lart, Prokurorja do të zbardhte të vërtetën e kësaj çështje dhe ndoshta do të zbuloheshin edhe gjyqtarët e implikuar në këtë çështje nëse ka të tillë.

Sa sqarova më lart rezulton se kjo çështje qëllimisht nuk është hetuar, nuk janë kryer veprimet minimaliste hetimore që çdo prokuror i një prokurorie normale duhej ti bënte, aq më tepër një Prokuror i SPAK-ut. Ky hetim është devijuar qëllimisht në drejtimin tim dhe të bashkëshortes time Mimoza Margjeka, për të vetmen arsye se bashkshortja ime do të goditej për vendimin e dhënë prej saj për Bashkinë e Durrësit për zgjedhjet e 30 Qershorit 2019. A është kjo një goditje me prapavijë politike? Kjo do të zbardhet nga hetimi i këtij kallëzimi që po paraqes para jush. Nëse qëllimi i Prokurores në këtë hetim do të ishte zbatimi i ligjit dhe zbardhja e së vërtetës, nuk do të ndërpriteshin vëzhgimet për kryesuesin e çështjes Gjyqtarin Olsi Xhavella, do të vëzhgoheshin dhe përgjoheshin të gjithë personat e përfshirë, të cilet janë nga Korça dhe Pogradeci dhe kanë njohje me Gjyqtaret e Gjykatës së Apelit (Olsi Xhavella dhe Etleva Temo).

Rezulton se hetimi i kësaj çështje dhe referimi për të marrë si përson nën hetim Gjyqtaren Mimoza Margjeka është bërë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe jo nga Oficerët profesionistë të Prokurorisë. Përse Prokurorja Enkeleda Millonai, ka zbatuar pikë për pikë orjentimet dhe sugjerimet e Oficerit të Policisë së Shtetit. A është kjo një ndërhyrje e ekzekutivit nëpërmjet Policisë së Shtetit, për hakmarrje ndaj Gjyqtares Mimoza Margjeka, për vendimin e dhënë nga ana e saj për Bashkinë e Durrësit? Kërkoj të hetohet nga ana juaj ky fakt.

Në kërkesën për caktim mase sigurimi në mungesë, Prokurorja nuk ka paraqitur të plotë faktet dhe rrethanat e ngjarjes të dala nga përgjimet dhe vëzhgimet, të cilat i cituam më lart, por i ka tjetërsuar në mënyrë të dukshme, manipuluar dhe fshehur në mënyrë të qëllimshme, duke arritur të manipulojë në këtë mënyrë Gjykatën e cila ka caktuar masat e sigurimit siç ka kërkuar Prokurorja. Prokurorja ka paraqitur përgjimet dhe vëzhgimet në mënyrë selektive me qëllim që të arrinte në arrestimin dhe burgosjen time (arben cara) dhe të bashkeshortes time Gjyqtares Mimoza Margjeka.

Më poshtë po sqaroj në mënyrë të detajuar rrethanat e ngjarjes, faktet dhe provat si dhe elementët e veprave penale të konsumuara përgjatë këtij hetimi nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai.

Bazuar në dosjen hetimore të proçedimit penal nr 186/2020, rezulton se:

Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion Enkeleda Millonai, mbi bazën e informacionin të datës 09.07.2020 “Për referimin e veprës penale Prokurorit”, të hartuar nga OPGJ Maksim Bejko, ka regjistruar po me këtë datë proçedimin penal nr 186/2020 për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 të K.Penal. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të këtij proçedimi penal rezulton se informacioni i datës 09.07.2020 “Për referimin e veprës penale Prokurorit”, të, hartuar nga OPGJ Maksim Bejko, nuk ka të bashkangjitur aktet e transkripteve të përgjimeve të datës 07 dhe 08 Korrik të vitit 2020, mbi bazën e të cilave ka referuar dhe kërkuar për regjistrimin e proçedimit penal në ngarkim të shtetasit Nejton Bali për veprën penale të “korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 i K.Penal. Po me datën 09.07.2020 Prokurorja Enkeleda Millonai ka urdhëruar dhe deleguar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore si Urdhëra “Për regjistrime të fshehta fotografike, filmike ose me video në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendodhjes”, Vendime “Për lejimin e përgjimit”, etj duke caktuar si oficer për kryerjen e këtyre hetimeve Maksim Bejkaj. Mbi bazën e relacionit të datës 31.07.2020, të OPGJ-së Maksim Bejkaj, Prokurorja Enkeleda Millonai me datën 03.08.2020 ka regjistruar emrat e personave nën hetim Arben Cara e të tjerë, për veprat penale të:

  1. “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit dhe prokurorit dhe i funskionareve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të K. Penal;
  2. “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit dhe prokurorit dhe i funksionareve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të K. Penal.

Bazuar në materialet e dosjes hetimore të proçedimit penal nr 186, të vitit 2020 rezulton se transkriptet e përgjimeve të datës 07 dhe 08 korrik të vitit 2020, (mbi bazën e të cilavë është bërë referimi nga OPGJ Maksim Bejkaj dhe më pas është regjistruar proçedimit penal nr 186/2020 nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai), janë administruar në fashikullin e proçedimit penal nr 186/2020 vetëm me datën datën 31 gusht 2020, pra 1 (një) muaj e 21 (njëzet e një) ditë pas regjistrimit të këtij procedimi penal dhe 24 (njëzet e katër) ditë pas regjistrimit të emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale. Konkretisht Oficeri i Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj i autorizuar nga Prokurorja Enkeleda Millonai ka marrë në dorëzim nga Prokurorja Dorina Bejko me datën 31 gusht, 2020 aktet e mësipërme të procedimit penal nr 185, të vitit 2020, proçedim i cili po hetohej nga Prokurorja e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Pogradec, Dorina Bejko.

Siç citohet në shkresën e datës 05.08.2020 të Sektorit të Përgjimeve dhe komunikimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, përgjimi i datës 07.07.2020, datë 08.07.2020 dhe datë 09.07.2020 është bërë në bazë vendimit të lejimit të përgjimit nr. 101 datë 30.06.2020, vendimit datë 08.07.2020 të Prokurores Dorina Bejko dhe vendimit nr. 119 date 09.07.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Pogradec në funksion të procedimit penal nr. 185/2020. Këto akte përgjimesh janë tërhequr dorazi nga Sektori i Përgjimeve dhe komunikimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme me datën 05.08.2020 nga ana e Prokurores Dorina Bejko, me anë të shkresë së saj të po kësaj date.

Për sa më sipër regjistrimi i proçedimit penal nr 186, i vitit 2020 nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai është bërë në kundershtim me ligjin procedurial, pa patur më parë aktet në të cilat bazohet ky procedim, Marrja e mëvonshme e akteve nuk mund të justifikojë paligjshmërine e veprimeve proçeduriale të cilat janë të pavlefshme.

  1. Në kundërshtim me nenet 24, 290, 291 ky proçedim është regjistruar mbi bazën e një akti të vetëm të Oficerit të Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj atë të “Informacionit për referimin e veprës penale Prokurorit”, pa asnjë dokument tjetër që mbështet këtë informacion dhe rezultatet e tij. Mbi bazën e këtij proçedimi të paligjshëm Prokurorja që nga data e regjistrimit dhe më pas ka urdhëruar dhe deleguar kryerjen e veprimeve të tjera hetimore si Urdhëra “Për regjistrime të fshehta fotografike, filmike ose me video në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendodhjes”, Vendime “Për lejimin e përgjimit”, etj veprime hetimore të cilat sipas ligjit janë absolutisht të pavlefshme, pasi jane bere ne funksion te nje proçedimi penal të paligjshëm.
  2. Ky procedim penal nuk është regjistruar mbi bazën e akteve të dërguara nga Prokurorja e çështjes 185/2020 Dorina Bejko, e cila në mbështetje të neneve 83 dhe 84 të K.Pr. Penale do të shpallte moskompetencën e saj dhe ti dërgonte aktet Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion si Prokurori kompetente. Kjo është e vetmja rrugë ligjore që duhet të ndiqej për të rregjistruar një proçedim tjetër. Ky regjistrim i paligjshëm i procedimit penal nr 186, të vitit 2020 ka bërë të mundur që në kundërshtim me ligjin të hetohet nga dy prokurori njëkohësisht për të njëjtën çështje, si nga Prokurorja Dorina Bejko e Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Pogradec ashtu edhe nga Prokurorja Enkeleda Millonai, Prokurore e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Sipas akteve të dosjes, rezulton se Prokurorja ka regjistruar emrin e personit të cilit i atribuohet vepra penale me datën 03.08.2020 dhe përgjatë gjithë kohës deri në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit (në mungesë) nda meje (Arben Cara dhe bashkëshortes (Mimoza Margjeka) me datën 04.09.2020 nuk ka kryer asnjë veprim tjetër hetimor, duke bërë regjistrimin i emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale defakto me datën 04.09.2020 dhe regjistruar atë në mënyrë fiktive me datën 03.08.2020. Kjo shkelje e rëndë përforcohet nga fakti se po të kishte bërë regjistrimin me këtë date (03.08.2020), në bazë të nenit 158/1 e 2 të ligjit Nr 96/2016 « Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë » me fillimin e hetimeve për Gjyqtaren Mimoza Margjeka, Prokurorja Enkeleda Millonai ishte e detyruar të njoftonte Këshillin e Lartë Gjyqësor, gjë të cilën nuk e ka bërë (shkelje më vete kjo).

Për këtë qëllim del e nevojshme kqyrja dhe verifikimi e regjistrave përkatës në organin e prokurorisë.

Sa më sipër, Prokurorja Enkeleda Millonai jo vetëm që nuk ka hetuar mbi veprimtarinë e paligjshme të Oficerit të Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj, por në kundërshtim ne nenet 24, 290 dhe 291, ka bërë të mundur regjistrimin e proçedimit penal në mënyrë të paligjshme vetëm mbi bazën e një akti të vetëm të Oficerit të Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj atë të “Informacionit për referimin e veprës penale Prokurorit”, pa asnjë dokument tjetër që mbështet këtë informacion dhe rezultatet e tij.

Megjithëse Prokurorja ka regjistruar në kundërshtim me ligjin proçedimin penal ajo përsëri në kundërshtim me:

1-            nenin 152/2 të K.Pr. Penale,

2-            me Vendimin nr 3, datë 06. 02.2008, të Gjykatës Kushtetuese, i cili thekson se “Nëse Prokuroria arrin në përfundimin se ndodhet para provave dhe fakteve te mjaftueshme fillon ndjekja penale ndaj tij”,

3-            dhe në kundërshtim me nenet 328 dhe 287/1 të K.Pr.Penale, në kohën kur nuk dispononte asnjë prove, fakt apo indicje, nuk mund të fillonte ndjekjen penale ndaj Gjyqtares Mimoza Mimoza Margjerka dhe bashkëshortit të saj Arben Cara, nëpërmjet urdhërit për regjistrimin e emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale në regjistrin përkatës.

E gjithë kjo veprimtari e Prokurores Enkeleda Millonai bie ndesh me ligjshmërinë e veprimtarisë së Prokurorisë, parashikuar nga neni 148/3 i Kushtetutës, nenit 24/1,2; 277, 287/1, 304 dhe 328 të K.Pr.Penale duke kryer kështu Shkelje të rënda në mosrespektim ose zbatim të gabuar të ligjit proçedurial dhe material, në kryerjen e veprimeve proçeduriale. Për të gjitha sa më sipër Prokurorja Enkeleda Millonai ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Fillimit të Paligjshëm të ndjekjes penale”, parashikuar nga neni 313 i K. Penal.

  1. Bazuar në materialet hetimore të çështjes konstatohet se në proçesverbalin e datës 23.07.2020 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, lidhur me Autorizimin e Prokurorit për kryerjen e vëzhgimit të fshehtë në funksion të proçedimit penal nr 185 të vitit 2020 për veprën penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm”, parashikuar nga neni 245/1 i K.Penal rezulton të jetë ndërprerë vëzhgimi lidhur me Gjyqtarin Olsi Xhavella, i cili rezulton të jetë edhe Gjyqtari relatues i çështjes ndaj Orion Bali etj. Edhe pse në përgjime flitej se takimet do të kryheshin për ndërhyrje në çeshtjen në fjalë e cila kryesohej nga Olsi Xhavella. Po ashtu edhe pse në përgjimet e mëvonshme dalin përsëri të dhëna kompromentuese për këtë gjyqtar përsëri nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai nuk është urdhëruar asnjë vëzhgim apo përgjim për personat te cilet do ta takonin këtë Gjyqtar ose më keq akoma, mund te ketë kryer vëzhgime dhe qëllimisht i fsheh ato. Gjithashtu sipas përgjimeve të datës 24.07.2020 rezulton e pohuar nga Nejton Bali se « ne darke drejtori e ka lene te pije kafe me gjyqtarin » dhe i vetmi gjyqtar qe vete drejtori Altin Gusho pohon se njeh është Gjyqtarja Etleva Temo, Zv/Kryetarja e Gjykates se Apelit Korçë. Njohjen mes tyre e konfirmon edhe vete Gjyqtarja Temo (në deklarimet e saj thotë që e ka patur shok klase). Dyshimet për një takim të mundshëm mes Drejtorit të Burgut dhe Gjyqtares Etleva Temo, i konfirmon në deklarimet e tij edhe shtetasi Erald Bali i cili thekson «Nejtoni i tha Drejtorit nese i dinte emrat e gjyqtareve që do te gjykonin Orjonin ». « Ne tavoline eshte biseduar per Orjonin gjendjen e tij ne arrest… eshte biseduar se cilet mund te ishin gjyqtaret… » Edhe në këtë rast edhe pse ka patur nje informacion të tillë organi i akuzës ose e ka fshehur ose nuk ka bërë vëzhgim të takimeve të këtyre të fundit. Në mënyrë të qëllimshme Prokurorja Enkeleda Millonai në bashkëpunim me Oficerin e Policisë Gjyqësore kanë shmangur çdo veprim hetimor në drejtim të Gjyqtarit Olsi Xhavella dhe Etleva Temo dhe të tjerëve me të cilët ata eventualisht bashkëpunojnë, ku nga njëra anë kërkojnë të fshehin të vërtetën e ngjarjes dhe nga ana tjetër kërkojnë të implikojnë medoemos e që nga fillimi Gjyqtaren e këtij trupi gjykues Mimoza Margjeka. Prokurorja në bashkëpunim me Oficerin e Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj orjentojnë dhe kryejnë hetimet vetëm në drejtim të Gjyqtares Mimoza Margjeka duke implikuar në mënyrë të qëllimshme bashkëshortin e saj Arben Cara, pas asnjë provë dhe në mënyrë të hapur duke manipuluar dhe interpretuar veprimet dhe faktet në implikim dhe rëndim të pozitës së Arben Cara dhe Mimoza Margjeka.

Sa i përket transkriptimeve telefonike :

  1. a) Ne telefonaten e dt.23.07.2020 Avokati Skender Demiraj i thote Klodjan Zhillës (klodit) : « Jo jo po shiko pak. Dosjen e ka ky dhe sja vlen ta takojmë atë se mos prishet puna. E kupton ? Ti e di shumë mirë këtë, ta takoj njëherë këtë unë, si e ka emrin ky, Olsin… » Pra Avokati Demiraj nuk ka interes të flasë mua (arben cara) për çështjen, si bashkëshorti i Gjyqtares Mimoza Margjeka, pasi kryesues ishte Olsi Xhavella. Biles ai aludon se takimi me mua i prish punë.
  2. b) Ne telefonaten e dt.24.07.2020 « e takova atë unë, e takova Olsin…… ta shikoj dosjen të martën se është e shtunë e dielë. Të hënë nuk jam unë, ta shikoj dhe të kthej përgjigje…. ore le nam i thashë unë. Ca duhet ca sduhet me thuaj… po qysh tek do ta shikoj më tha. E vështirë ma bëri në fillim. T’ja jap këtë numrin tënd, është në tiranë ai sekser i ktij Olsit mor burr… atje do ta kesh takoje ». (sekseri i pretenduar është avokati Leonard Pasho). Nga përgjimet telefonike të datës 28.07.2020 rezulton se Avokati Skënder Demiraj komunikon disa herë me Avokatin Leonard Pasho dhe në deklarimin e dhënë nga avokati Leonard Pasho, pranohet se me datën 28.07.2020 është takuar me avokatin Skënder Demiraj dhe Albert Zhillën, kur po dilte nga palestra e Klodjan Zhillës (klodit). Ata me ftuan për darkë në Boboshticë por unë nuk shkova, deklaron avokati Leonard Pasho. Përse nuk është vëzhguar takimi i Leonard Pashos i cili cilësohet si sekser i Olsi Xhavella me avokatin Skënder Demiraj në darkën e dt.28.07.2020 ??? Pse nuk i është marrë telefoni Avokatit Leonard Pasho. Përse nuk është sekuestruar dhe kqyrur telefoni i tij dhe përse nuk janë marrë qelizat telefonike të Leonardit dhe Gjyqtarit Olsi Xhavella (kryesues i çështjes) për të vërtetuar atë çka pretendohet në përgjimet telefonike (është takuar apo jo Olsi Xhavella me Leonard Pashon)
  3. c) Në dt. 27.07.2020 Avokati Demiraj takohet me avokaten Eralda Brahimasi (avokatja e personit tjeter të arrestuar bashke me Orjon Balin) siç rezulton nga telefonata e ores 11.13 dhe po në këtë datë, avokati Demiraj i konfirmon Klodjan Zhillës (klodit) në telefonatën e orës 12.21 ku i thotë « dëgjo mua për atë tjetrin janë marrë vesh »
  4. d) Po në dt.27.07.2020 Avokati Demiraj flet me Avokatin Leonard Pasho i cili i thotë, « kur të vish do takohemi nga afër »
  5. e) Në telefonatën e dt.17.07.2020 Orjoni bisedon me Neitonin « Jo me këtë avokatët, mos e lej në dorë të atij që kam unë…janë ene 3 varjante të tjera po ik tashi…të thashë që mos e lej në dorë të atij se po e shof unë se ca po bojn avokatët. Një M.… po hajnë. Nuk e ka… e ka derën e myllme 100% ta jap unë garant… Kështu që duhet atë që ka kap Raldi mos e lër vetëm në dorën e atij »
  6. f) Në telefonatën e dt.24.07.2020 Neitoni i thotë nënës së tij « Në darkë e ka lënë drejtori të pijë kafe me gjyqtarin » Drejtori (Altin Gusho) rezulton shoku i Dodës (Dodë Duka), që punon me Raldin (Erald Bali). Me të është konsumuar dreka e dt.22.07.2020 ku Neiton i thotë nënës « « me ja marrë ato lek Skënderit njëherë. Njëqind përqind ta maroj-tha… Te kto burrat tashi je tu fol më ? Po këtu në tavolinë jam, jena ala në Korcë… njëqind përqind po qenë këto këtu të korcës-thotë, e ket ë mbyllur-thotë»
  7. g) Në dt.25.07.2020 Neltion (Nejton Bali) flet me Eraldin ku ky i fundit i thotë « Hë mo Nelt se do ta ndaj sot.
  8. h) Në dt.25.07.2020 Neltioni me Orjonin « He më shpjego dhe njëherë ça më the… Skënderi apo ai tjetri ? Neltioni-Tjetri. …duhet me i thene burrit huj mos u merr me atë punë. Do vijë vetëm si avokat. Shko atje, mbaro punë, zgjidhe me Raldin, shko vlla maro punët »
  9. i) Në telefonatën e dt.28.07.2020 ora 9.20 Eraldi flet me Neltin « A ta mbyll me Dodën o Nelt a ta mbyll, po qe se thotë nisu tashi dhe thuj o shoku mos bej asnjë gjë se do ta mbyll vetë këtë punë-po tha nisuni, do nisemi e vlla… në orën 11.25 i thotë « nëse Doda thotë të tërhiqet avokati … të dali ku të dali se ska për të zgjidh gjë ky- të tërhiqet avokati i them drejt largohu- vari lesht ja lejmë Dodës o burrë- po mo në rregull. Më kthe përgjigjë direkt. Nisu që sot i thuj Dodës » Në orën 13.01 Eraldi thotë Neltionit « mos e mer më Skënderin lene kshu as mos e mer as mos i shkruj, Mos e mer leje të bëjë punën e vet ai-Ku je ti me Dodën je ? -Po po presim ta takojmë por Skënderin mos e mer. – Po spo e ngacmoj më po thuj Dodës a hikim po qe sot andej ? të mar paret ? Pra del qartë se Neltioni (nejton bali) nuk ja ka dhënë ndonjëherë paratë Skënderit, por ka gënjyer nënën e tij. Ai i ka patur në dispozicion paratë dhe nuk i ka dhënë asnjëherë Skënderit dhe ka qënë i gatshëm deri në këtë moment për të paguar Dodë Dukën dhe Drejtorin e Burgut të Drenovës me paratë në dispozicion. Kështu me anë të kësaj telefonate vertetohet edhe pretendimi Avokatit Skënder Demiraj që nuk i ka marrë ndonjëherë këto para.
  10. j) Pse nuk është hetuar telefonata e dt.28.07.2020 ora 23.02 ndërmjet shtetasit Neltion (Nejton Bali) dhe Renato i cili thotë « po qe se është fat për nesër që të thonë dy ok, atëherë ai i ka marë gjërat kur të takohemi do ti spjegoj vllai…nëntëdhejte e ca përqind punët janë mirë, gjena të vogla më tha mu… Skënderi bën për atje dhe jo për këtu se ja kanë dredhur këta… i ka thënë ajo goca në tiranë që nuk bëhet fjalë që ti bësh me njerzit e tu që ke bërë muhabet sa të jem unë dhe të kapi prej fyti. Kryesori atë ditë që do jepesh ajo që i dhe ti skënderit atë ditë në vend që ti jepte gjërat asaj e kapi nga gryka dhe i tha pse më ke gënjyer… dhe mbeti si peshku pa ujë edhe kryesori, relatori dhe Skënderi »
  11. k) Ndërsa telefonatat e Arbenit me Klodjan Zhillën dt 29.07.2020 janë « klodi hë vlla, a e ka zënë gjumi gocën- e ka zënë- mbi gjysëm ore- o sa mirë, prandaj të mora, e pra mirë- hëndri bukë, djathin se pëlqente, mirë pra, unë po mbaroj pak punë dhë po vij ta mar gocën. – ok të falenderoj ciao ciao.

Nga të gjitha këto bëhet i qartë dallimi dhe diferenca se për çfarë është folur dhe kush është në arrest, e për kë nuk ka filluar procedimi.

Në këtë mënyrë prokurorja në kundërshtim nenet 277 dhe 304 të K.Pr.Penale nuk ka ushtruar funksionin për drejtimin e veprimtarisë hetimore, duke anashkaluar dhe mos hetuar mbi arsyet e ndërprerjes së përgjimit dhe vëzhgimeve për Gjyqtarin Olsi Xhavella (dhe bashkëpunëtorëve të tij) dhe në rastin më të keq dhe flagrant këto vëzhgime janë ndërprerë qëllimisht nga ana e saj. Po ashtu kjo Prokurore nuk ka kryer ose ka fshehur vëzhgimet dhe përgjimet të lidhura me ndërhyrjen e mundshme të Drejtorit të Burgut Drenovë Altin Gusho tek Zv/Kryetarja e Gjykates së Apelit Korçë, Etleva Temo për çështjen e Orion Balit etj.

E gjithë kjo veprimtari e Prokurores Enkeleda Millonai bie ndesh me ligjshmërinë e veprimtarisë së Prokurorisë, parashikuar nga neni 148/3 i Kushtetutës, nenet 24/1,2; 277, 287/1, 304 dhe 328 të K.Pr.Penale duke konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301 e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Nga ana e organit të akuzës në funksion të hetimit janë pyetur shtetasit e mëposhtëm: a) Dodë Duka dt. 30.09.2020 b) Afërdita Bali dt.05.10.2020 dhe dt.16.12.2020 c) Eralda Brahimsi dt.02.10.2020 d) Altin Gusho dt.17.12.2020 e) Etleva Temo dt. 05.10.2020 f) Olsi Xhavella dt. 05.10.2020 g) Adi Mullalli dt.02.10.2020 h) Erald Bali dt.05.10.2020 dhe 23.12.2020 i) Leonard Pasho dt.05.10.2020 dhe 28.12.2020 j) Albert Zhilla dt.28.12.2020 k) Pirro Kotonika dt.28.12.2020 l) Ervis Cani dt.28.12.2020 m) Klaudio Zhilla dt.10.12.2020 n) Enesi Likaj dt. 30.12.2020 o) Skënder Demiraj dt.16.12.2020 p) Orjon Bali dt.16.12.2020 q) Neiton Bali dt.10.12.2020.

Nga të gjitha deklarimet e marra këtyre shtetasve del e qartë se, është përmendur çdo emër i mundshëm i cili mund të jetë përfshirë në këtë çështje ndikimi të paligjshëm apo korruptive, përveç Gjyqtares Mimoza Margjeka dhe bashkshortit të saj Arben Cara.

Del qartë në këto deklarime pretendimi jonë që ishte e pamundur nga ana e Gjyqtares Mimoza Margjeka për të ndërhyrë në trupën gjykuese edhe nga vetë deklarimet e Gjyqtares Etleva Temo ku thotë se « nuk kemi pasur asnjëherë as debat dhe as konflikt… unë komunikoja vetëm nëpërmjet kancelares së gjykatës dhe për gjykimet dhe për çdo njoftim tjetër ». Me pak fjalë kemi shkuar aq mirë sa nuk i flisnim njëra-tjetrës me gojë por komunikonim nëpërmjet kancelares.

(Ngarkesa e punës për Gjyqtaren Mimoza Margjeka ka qënë e madhe pasi gjykonte në gjykatën e Durrësit dhe në Apelin e Korçës dhe nga ana e Zv/kryetares Etleva Temo kishte pakënaqësi për këtë shkak, në atë masë sa i është drejtuar edhe KLGJ-së që Gjyqtarja Mimoza Margjeka të gjykonte vetëm në Gjykatën e Apelit Korçë).

Del qartë që nëse ka patur ndërhyrje, për të cilën Gjyqtarja Mimoza Margjeka nuk ka patur dijeni, ka qënë:

  1. nëpërmjet Drejtorit të Burgut të Drenovës Altin Gusho i cili deklaron se « Etleva Temon e njoh pasi është nga Pogradeci por nuk është se kam shoqëri » ndërsa Gjyqtarja Etleva Temo (Zv/Kryetarja e Gjykates se Apelit dhe njëkohësisht anetarja e trupit gjykues) deklaron se « këtë shtetas e njoh pasi e kam patur shok klase në tetëvjecare »
  2. ose personave të tjerë tek Gjyqtari Olsi Xhavella, për të cilët siç theksuam më lart janë ndërprerë vëzhgimet sapo ka filluar takimi për të cilin në fakt ishte ndjekur dhe nuk janë kryer vëzhgime të tjera të diktuara nga informacionet e përgjimeve. Vëzhgimet mund të jenë kryer por janë fshehur qëllimisht nga ana e Prokurores. Rasti me flagrant është mos vëzhgimi dhe mos-hetimi i takimit mes Leonard Pashos (i dalë në përgjime si sekser i këtij gjyqtari) dhe Gjyqtarit Olsi Xhavella

Nisur nga sa ka parashtruar vetë organi i akuzës, vërehet qartë se edhe hetimi që është bërë nuk konsiston në dyshime që organi i akuzës ka mbi Gjyqtaren Mimoza Margjeka dhe bashkshortin e saj Arben Cara. Dyshimet e akuzës, në raport me vijushmërinë dhe deklarimet e marra janë në një drejtim krejtësisht të kundërt me sa ka prentenduar në fillim të hetimeve të saj duke treguar që organi i akuzës vetë e ka kuptuar që Mimoza Margjeka dhe Arben Cara janë në këtë procedim krejtësisht kot dhe pa asnjë provë apo indicje që çon në dyshimin më të vogël në drejtim të tyre.

Megjithë hetimet e kryera për një periudhë gati 6 (gjashtë) mujore, në informacionin e saj « Mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit » të datës 08.01.2021, Prokurorja Enkeleda Millonai thekson se « …Gjendur në këto kushte, vlerësojmë se nga aktet e administruara nuk ka asnjë rrethanë që të ketë zbehur ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale të Korrupsionit aktiv dhe pasiv të gjyqtarit në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 si dhe 319/ç e 25 i K.Penal ». Prokurorja e pranon vetë që pas gati 6 (gjashtë) muajsh hetime ska asnjë provë ndaj shtetasve Mimoza Margjeka dhe Arben Cara dhe nga ana tjetër kërkon të mbajë në fuqi masat ekstreme të sigurimit. Dhe po në këto kushte duke pranuar vetë që ska asnjë provë, ajo dërgon thirrje për paraqitje pranë organit të Prokurorisë shtetasve Arben Cara dhe Mimoza Margjeka për tu njohur me përfundimin e hetimeve (pa i pyetur ata vetë asnjëherë), me njoftimin e akuzës dhe dërgimin e çështjes në gjyq. Kjo është Prokurorja e absurdeve dhe e kurtheve ndaj lirisë së shtetasve.

  1. b) Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, gjatë ushtrimit të detyrës në veprimtarinë e saj hetimore e proçeduriale në kuadër të proçedimit penal nr 186/2020 ka shtrembëruar dukshëm faktet e proçedimit penal nr 186/2020, fakte këto të rezultuara nga përgjimet dhe vëzhgimet në funksion të këtij proçedimi, Po ashtu përgjatë hetimit të kësaj çështje Prokurorja Enkeleda Millonai me paramendim dhe në mënyrë të qëllishme në aktet proçeduriale të regjistrimit të emrit të personit të cilit i atribuohet vepra penale dhe në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ka paraqitur rrethana të rreme rreth ngjarjes dhe ka manipuluar me rezultatet e vëzhgimeve. Oficerët e Policisë Gjyqësore të caktuar në kryerjen e përgjimeve dhe vëzhgimeve, në proçesvebalet e hartuar nga ana e tyre, paraqesin rrethana të tjera të ndryshme nga ato që paraqet Prokurorja Enkeleda Millonai. Këto rrethana të pavërteta dhe manipulimi i rezultateve të vëzhgimeve dhe përgjimeve janë paraqitur nga ana e kësaj Prokurore me qëllim justifikimin e ndjekjes penale ndaj meje dhe bashkshortes dhe rëndimin e pozitës tonë me qëllim justifikimin e vendosjes së masë së sigurimit.

Prokurorja në kërkesën e saj për caktimin e masës së sigurimit personal, datë 04.09.2020, ndaj shtetasve Arben Cara etj, citon se “…Me datë 09.10 Klodi është takuar me shtetasin Arben Cara tek Bar kafe Cozy që ndodhet tek pazari vjetër në Korçë dhe rreth orës 09.22 është afruar dhe është ulur edhe një grua e moshës rreth 49 vjeç me flokë të gjatë, të verdhë, e cila mbantë të veshur një fustan blu në të bardhë. Kjo shtetase është identifikuar si Gjyqtarja Mimoza Margjeka. Në orën 09.33 këta shtetas çohen nga Bar Cozy dhe vazhdojnë lëcvizjen në këmbë drejt Hotel Pazarit. Në orën 09.42 shtetasi Arben Cara dhe shtetasja e moshës rreth 49 vjeç Mimoza Margjeka pasi ndahen nga Klodi hipin në automjetin Mercedes Benz B klas ngjyrë e zezë me Traga AA 941 DY dhe vazhdojnë të lëvizin në drejtim të Gjykatës së Apelit Korçë…”

Prokurorja në mënyrë të dukshme e ka shtrembëruar këtë fakt pasi nga relacioni i grupit të vazhgimit të Policisë Shtetit i shoqëruar edhe me foto dhe video (të cilin e gjeni bashkëlidhur këtij ankimi) rezulton se: “Ora 9.11 Konstatohet nga ana jonë shtetasi Klodi duke ardhur tek e njëjta bar kafe dhe pasi takohet me shtetasin rreth 46 vjeç, ulet në të njëjtën tavolinë. Ora 09.22 Në këtë kohë konstatojmë në tavolinë ulur bashkë me këta shtetas edhe një shtetase rreth moshës 49 vjeç me flokë të gjatë e të verdhë, e cila mban veshur një fustan blu me të bardhë. Ky moment është fiksuar edhe me kamer video. Ora 09.33 Të tre këta shtetas pasi çohen nga Bar kafe Kozy vazhdojnë lëvizjen në këmbë drejt Hotel Pazarit që ndodhet pak më lart”.

Siç konstatohet me lehtësi është shtetasi Klodi i cili ka ardhur në drejtim të tavolinës (tek Bar Kozy) ku po hanim mëngjesin unë, bashkshortja ime Mimoza Margjeka dhe vajza jonë e mitur, si zakonisht.

Prokurorja Enkeleda Millonai i ka shtrembëruar dukshëm faktet e rezultuara nga vëzhgimi me qëllim dhënien e përshtypjes se Arbeni me Klodin janë takuar qëllimisht dhe në vazhdimësi të takimit të një nate më përpara, dhe më pas kanë shkuar tek Gjyqtarja Margjeka dhe në këtë mënyrë duke implikuar edhe Gjyqtaren Mimoza Margjeka.

Në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit në mungesë Prokurorja Enkeleda Millonai citon se “Çështja në Gjykatën e Apelit gjykohet nga Gjyqarët Mimoza Margjeka, Etleva Temo dhe Olsi Xhavella”. Prokurorja qëllimisht citon trupën gjykuese pa përmendur se kush është kryesuesi dhe se kush janë anëtarët. Kjo me qëllim që të krijojë përshtypjen se çështja po gjykohet nga Gjyqtarja Mimoza Margjeka si kryesuese kur në të vërtetë nuk është ashtu. Kryesues i çështjes është Gjyqtari Olsi Xhavella. Të pyetet dhe të japë shpjegime për këtë citim të qëllimshëm.

  1. Në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit në mungesë Prokurorja Enkeleda Millonai citon gjithashtu se: … “Në vijim me Skënderin diskutojnë sërish për Gjyqtarët ku një është është një grua nga Pogradeci, dy është Olsi dhe tre kjo Cara. Klodi e sqaron Skënderin se Cara ia ka shtyrë takimin, ai me të është takuar një herë para katër vitesh, është rreth moshës 50 vjeç. Skënderi i thotë ta takojë njëhërë të nesërmen e më pas ti thotë Skënderit që të hënën të vije ai e ta takojë. Klaudjo i bën me dije se po të dojë Skënderi mund të shkojnë ta takojnë bashkë pasi e therret ai pa merak”. Në këtë citim të Prokurores, citim i cili është tërësisht, dukshëm i shtrembëruar dhe i manipuluar me qëllim rëndimin e pozitës së personit nën hetim Arben Cara. Sipas aktit të përgjimit të datës 23.07.2020 (të cilin e përcjellim bashkëlidhur), i cituar dhe i sqaruar edhe në relacionin e Oficerit të Policisë Gjyqësore Maksim Bejkaj, të datës 31.07.2020, shtetasi Klodian Zhilla i referohet Gjyqtarit kryesues Olsi Xhavella dhe jo personit nën hetim Arben Cara. Prokurorja qëllimisht citon se Klodi e sqaron Skënderin se Cara ia ka shtyrë takimin, ai me të është takuar një herë para katër vitesh, është rreth moshës 50 vjeç, duke fallsifikuar, shtrembëruar dhe manipuluar haptasi fjalët, fjalitë dhe kontekstin e bisedës, me qëllim implikimin dhe rëndimin e pozitës së personit nën hetim Arben Cara. Në asnjë rresht të aktit të përgjimit nuk thuhet se takimin ia ka shtyre ai Cara. Në aktin e përgjimit të datës 23.07.2020 thuhet se “…Po që ta takoj njëherë unë, ma shtyri sot e kupton o, ma shtyri e, unë e kam takuar njëherë para nja katër vjetësh këtë e kupton edhe nuk e kam takuar më, nuk e kam takuar u bënë katër vjet, po ta takoj ta degjoj si qysh tek…” Prokurorja nuk e citon transkriptin të plotë, por të fragmentuar duke fshehur kështu qëllimin e vërtetë të bisedës. Gjithçka në këtë transkript flitet për takimin me Gjyqtarin kryesues të trupit gjykues, pasi akti i transkriptit të përgjimit të po kësaj date vazhdon “…Po ça moshe ka ky klod? Po ky 50 vjet i ka, gati 50 vjet, unë e kam takuar njëherë në fakt, e kam takuar për hallin e Beharit, kishte një Behari një kshu një rast dhe e thirra e takova e kupton, po na u përgjigj tamam e ke parasysh, kshu që nuk ësht…”. Faktin që bëhët fjalë se takimi i referohej Gjyqtarit Olsi Xhavella dhe jo mua (Arben Cara) konfirmohet:
  2. Edhe nga vete Klodi (klodjan Zhilla) në deklarimet e tija përpara organit të Prokurorisë së Posaçme.
  3. Edhe nga kqyrja e tabulateve telefonike (të marra në kompanitë celulare shqiptare) mes meje (Arben Cara) dhe shtetasit Klodi të cilat nuk ekzistojnë. Unë dhe Klodi jemi njohur vetëm në qershor të vitit 2020.

Po ashtu në citimet e tjera të kësaj Prokurore thuhet se …shtetasi Arben Cara, me datën 29.07.2020 ora 10.36 shkon tek hoteli dhe futet tek restorant “Eleni”. Citimi i mësipërm i Prokurores është totalisht i pavërtetë dhe i manipuluar me qëllim realizimin e versionit të saj hetimor. E vërteta është se unë jam bashkë me vajzën e vogël 3 (tre) vjeçe dhe futemi në restorant për të ngrënë mëngjesin dhe për të lënë vajzën me familjarët e shtetasit Klodi (sikurse kishim rënë dakort), pasi atë ditë unë (Arben Cara) do kthehesha në Tiranë, sepse të nesërmen kisha zgjedhjet në Universitetin e Durrësit dhe rikandidoja për një mandat të dytë si Drejtues i Departamentit të Drejtësisë (zgjedhje të cilat i fitova bindshëm). Bisedat e mia telefonike dhe sms me bashkëshorten time dhe me Klodin (Zhillën) kanë qenë vetëm për vajzën time 3(tre) vjeçare të cilën ia kishim lënë gruas së Klodit pasi ata kishin edhe një djalë të vogël 2 (dy) vjeçar. Mjafton të shikohen në dosjen e Prokurorisë:

  1. vëzhgimi i plotë i Policisë i kësaj date,
  2. bisedat e transkriptuara (sms) nga ana e Prokurorisë mes meje (Arben Cara) dhe bashkëshortes time Mimoza Margjeka.
  3. shikohen bisedat mes meje (Arben Cara) dhe shtetasit Klodi (Klodian Zhilla), për të vërtetuar pretendimin tonë dhe për të hedhur poshtë aludimet djallëzore të ngritura në fillim të hetimeve nga ana e Prokurores Enkeleda Millonai. (të gjitha këto janë në dosjen e prokurorisë)

E gjithë kjo veprimtari e Prokurores Enkeleda Millonai bie ndesh me ligjshmërinë e veprimtarisë së Prokurorisë, parashikuar nga neni 148/3 i Kushtetutës, nenet 24/1,2; 277, 287/1, 304 dhe 328 të K.Pr.Penale, duke konsumuar kështu elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Për të gjitha sa parashtrova më lart, përfundimisht kërkoj:  Ndjekjen penale të Prokurores  Enkeleda Millonai për veprat penale : “Fillim i paligjshëm i ndjekjes penale” parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal,“ Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në bashkëpunin, parashikuar nga neni 301 e 25 i Kodit Penal.

Kallëzuesi:

Arben CARA

 

db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!