51% e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2035

schedule13:16 - 21 Mars, 2023

schedule 13:16 - 21 Mars, 2023

Më shumë se 50% e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë ose obezë deri në vitin 2035, nëse nuk ndërmerren veprime të rëndësishme për ta parandaluar atë. Këto janë faktet e nxjerra në dritë nga Atlasi 2023 i Federatës Botërore të Obezitetit. Për këto vlerësime, është marrë parasysh indeksi i masës trupore (BMI), një numër i llogaritur duke pjesëtuar peshën me katrorin e gjatësisë.

Ai parashikon që 51% e botës, ose më shumë se 4 miliardë njerëz, do të jenë mbipeshë ose obezë brenda 12 viteve të ardhshme.

Moshat që priten të preken më shumë janë nga 5-19 vjeç ndërsa shkalla e obezitetit tek djemtë është veçanërisht dekurajuese pasi duket se dyfishohet nga 10% në 20%. Tek vajzat, 8% pritet të arrijë në 18%.

Obeziteti i fëmijëve mund të dyfishohet më shumë nga nivelet e vitit 2020, duke arritur në 208 milionë djem dhe 175 milionë vajza deri në vitin 2035.

Sipas raportit, normat e obezitetit po rriten veçanërisht me shpejtësi tek fëmijët dhe në vendet me të ardhura më të ulëta. Në fakt, pothuajse të gjitha vendet që pritet të shohin rritjen më të madhe të obezitetit në vitet e ardhshme janë vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare në Azi dhe Afrikë.

Të dhënat e reja janë një “paralajmërim i qartë”, thotë Louise Baur, presidente e Federatës Botërore të Obezitetit, duke theksuar se politikëbërësit duhet të veprojnë tani për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

Kostoja për shoqërinë është e konsiderueshme për shkak të kushteve shëndetësore që lidhen me mbipeshën dhe nëse nuk gjendet menjëherë një zgjidhje, ndikimi do të jetë i ngjashëm me humbjet e pandemisë në vitin 2020.

Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një person është mbipeshë kur indeksi i masës trupore i kalon 25 dhe obez kur i kalon 30. Në vitin 2020, 2.6 miliardë njerëz binin në këto kategori, ose 38% e popullsisë së botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!