50 euro për një certifikatë vaksinimi false, shkarkohet nga detyra mjekja në Lushnje

schedule09:12 - 10 Nëntor, 2021

schedule 09:12 - 10 Nëntor, 2021

Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar nga detyra mjeken Elona Naço në qendrën shëndetësore në Gradisht të Lushnjes e cila një ditë më parë u denoncua në media se lëshonte certifikata vaksinimi kundrejt pagesës( 50 euro) , pa e kryer vaksinimin e qytetarëve. Gjithashtu do të merren masa që mjekes në fjalë t’i hiqet edhe licenca e ushtrimit të profesionit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë ngjarjen e rëndë të  denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”,  të lëshimit të certifikatës së vaksinimit kundrejt pagesës, pa kryer vaksinimin e qytetarit,  nga mjekja e qendrës shëndetësore të fshatit Gradisht të Lushnjes.

Sa më sipër, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masën e menjëhershme të shkarkimit nga detyra të mjekes me inicialet E. N. Duke e konsideruar këtë akt, një veprim kriminal, shkelje të rëndë në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe shëndetit publik të popullatës në situatën e pandemisë, Ministria e Shëndetësisë do t’i kërkojë Urdhrit të Mjekut, heqjen e licensës së ushtrimit të profesionit për mjeken në fjalë”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër janë marrë masat edhe për lirimin nga detyra të drejtorit të qendrës shëndetësore në Gradisht me iniciale A.GJ. “Ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe masën e lirimit nga detyra të drejtorit të qendrës shëndetësore Gradisht, me inicialet A.Gj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale falënderon emisionin  investigativ “Fiks Fare” për denoncimin publik të këtij rasti korrupsioni dhe abuzimi me detyrën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërkohë që inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet për denoncimin e rasteve të abuzimit apo korrupsionit nga cilido punonjës në institucionet shëndetësore”, thuhet në njoftim. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!