5 veta zbresin nga fuoristrada me armë në dorë, Abcnews.al siguron pamjet e plagosjes në Berat

schedule11:18 - 26 Maj, 2021

schedule 11:18 - 26 Maj, 2021

Iljaz Ismaili, 33 vjeç u plagos me armë zjarri pasditën e vonë të 21 majit pranë lokal “Kështjellës” në Poshnje të Beratit duke bërë që policia të arrestojë për këtë ngjarje të rëndë dy persona, ndërsa u shpallën në kërkim edhe katër të tjerë.

Ismaili sapo ishte kthyer nga Anglia dhe siç raporton gazetari Ermal Vija për abcnews.al, kishte patur një sherr më herët me personat e përfshirë në plagosjen e tij.

Ngjarja

Abcnews.al ka siguruar videon e momentit kur plagoset Ismaili, ku siç duket në të, fillimisht ai hyn me një makinë tip “Mercedes Benz ML” në parkingun e lokalit duke u ndjekur nga një tjetër makinë tip “Toyota Rav4”, nga e cila zbresin pesë persona.

Ata tentojnë ta marrin me forcë Ismailin në makinë, por teksa ai reziston bashkë me të vëllainë, shoferi i “Toyota-s” qëllon me armë ndaj Ismailit duke e plagosur. 33-vjeçari largohet me vrap nga vendi i ngjarjes teksa një person me armë në dorë e ndjek nga pas. Ky i fundit rrëshket një moment duke i dhënë mundësi Ismailit që të largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

Më pas, personat e përfshirë në ngjarje largohen me shpejtësi nga parkingu duke hipur në makinën tip “Toyota Rav4”.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor për zbulimin dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi I.I., 33 vjeç, bazuar në veprimet hetimore për të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe në provat e grumbulluara, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Berat dhe Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim edhe me DVP Fier bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të dy prej autorëve të dyshuar të ngjarjes:
Ata janë, shtetasit A.Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Kurjan, Rroskovec dhe A.F., 32 vjeç., banues në fshatin Otllak, Berat.

Në vijim të veprimeve hetimore janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe bashkëautorët e tjerë të kësaj ngjarje, shtetasit: F.Sh., 30 vjeç, I.N., 48 vjeç, M.H., 33 vjeç dhe N.T., 32 vjeç. Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!