Pesë fuqitë më të mëdha globale janë zotuar të parandalojnë përhapjen e armëve bërthamore dhe të sigurojnë që një luftë e tillë të mos zhvillohet kurrë, në një deklaratë të rrallë të përbashkët të 5 vendeve, shkruan Aljazeera.
“Le të pohojmë që një luftë bërthamore nuk mund të fitohet kurrë, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të zhvillohet kurrë”, thanë në deklaratën e përbashkët super-fuqitë e botës duke ripohuar angazhimin e famshëm dhe solemn të artikuluar nga Ronald Reagan dhe Michail Gorbaciov, në vitin 1985.
Në atë vit, të dy liderët i dhanë fund “Luftës së Ftohtë”, duke hedhur bazat për ri përmasimin e arsenaleve ushtarakë të SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo deklaratë vjen në një moment shumë delikat, me tensionet në rritje mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit për krizën në kufirin lindor të Ukrainës, dhe me shqetësimet e Washington-it në lidhje me synimet ekspansioniste gjithnjë e më eksplicite të Pekinit, duke nisur nga kërcënimi që rëndon mbi Taiwan-in.
Deklaratën e firmosën anëtarët e vazhdueshëm të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara: SHBA, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Kina. Pesë super-fuqitë, po angazhohen në parandalimin e mëtejshëm të përhapjes së armëve bërthamore të shkatërrimit në masë, në prag të konferencës mbi traktatin e mos-përhapjes, raporton abcnews.al
Takimet do të duhej të zhvilloheshin në New York këtë muaj, por Krerët e Pallatit prej Xhami kanë vendosur ta shtyjnë takimin për një datë tjetër, për arsye sigurie të lidhura me pandeminë. Traktati është ai i vitit 1970, ku aderuan 191 vende, dhe u shtri me një kohëzgjatje të papërcaktuar në vitin 1995. Duke aderuar në traktat, Shtetet pa armë bërthamore po angazhohen të mos i ndërtojnë ato, dhe në këmbim, pesë fuqitë e mëdha do të angazhohen për një çarmatosje graduale.
Ndërkaq, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut kanë pranuar në mënyrë eksplicite se zotërojnë ose kanë testuar armë bërthamore, ndërsa Izraeli është në zotërim të të paktën 200 bombave bërthamore, edhe pse nuk e ka konfirmuar kurrë.
Pesë super-fuqitë shkruajnë se objektivi është ai i një bote të lirë, pa përdorime negative të armëve bërthamore. Dhe, duke u bazuar te pasojat që do të provokonte përdorimi negativ i armëve bërthamore, pesë super-fuqitë pohojnë gjithashtu se armët bërthamore, për aq sa ekzistojnë, duhet të shërbejnë vetëm për qëllime mbrojtjeje dhe parandalimi të luftës. Pesë superfuqitë, u shprehën të bindur për nevojën për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore.
/abcnews.al