Kur flasim për ushtrime, mendja shkon tek humbja e peshës. Por, ky nuk është i vetmi rezultat pozitiv i stërvitjes. Nga humori tek gjumi më cilësor, trupi ynë merr shumë më tepër përfitime nga ushtrimet fizike.
Humor më i mirë
Gjendja shpirtërore përmirësohet pas ushtrimit. Sipas ekspertëve, stërvitja mobilizon pjesë të ndryshme të trurit duke bërë që të ndiheni më të lumtur, relaksuar dhe më pak të stresuar. Në të njëjtën kohë, gjatë stërvitjes, sekretohen hormonet e lumturisë, duke krijuar kështu emocione më pozitive.
Rritni energjinë dhe përqendrimin
Ushtrimet fizike kontribuojnë më së shumti në energjinë dhe përqendrimin. Edhe 10 minuta ecje intensive do t’ju freskojnë dhe do t’ju bëjnë të mendoni më qartë, ndërsa disa ushtrime yoga kanë rezultate më të mira edhe sesa një filxhan kafe.
Reduktimi i dhimbjes së shpinës
Forcimi i bustit përmes ushtrimeve patjetër që do t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Ushtrimet e barkut, shpinës dhe shtrirjes janë të përshtatshme për këtë pikë – gjithmonë me kujdes dhe udhëzime nga profesionistët.
Rritni krijimtarinë
Ushtrimet e shpeshta ndihmojnë për të rritur kreativitetin, pasi hipokampusi – pjesa e trurit që është përgjegjëse për mendimin krijues dhe gjendjen e mirë shpirtërore – ndikohet shumë kur ushtrohemi.
Përmirësoni gjumin
Sipas Fondacionit Amerikan të Gjumit, ushtrimet e buta ose intensive përmirësojnë gjumin, sepse ndihmon në zvogëlimin e kohës që duhet për të bërë një gjumë të mirë të natës. Sidoqoftë, nëse ushtrimi bëhet natën vonë, mund të përballeni me probleme, sepse “zgjoni” trupin dhe funksionet e tij. /abcnews.al