Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

5 orë debat, Kryesia e PD i thotë “JO” Berishës, Kuvendi mblidhet me 18 dhjetor

schedule21:24 - 15 Nëntor, 2021

schedule 21:24 - 15 Nëntor, 2021

Kryesia e PD i ka thënë “jo” Sali Berishës. Pas 5 orë e gjysmë debate kryesia ka miratuar vendimin e Lulzim Bashës që mbledhja e Kuvendit Kombëtar të zhvillohet në datën 18 dhjetor dhe jo në 11 dhjetor siç ka paralajmëruar Berisha. Vendimi u mor me 28 vota pro, 3 kundër. Kundër votoi Belind Këlliçi, Aldo Bumci, Ivi Kaso, kurse Edi Paloka dhe demokratët e tjerë mbështetës të Berishës që ishin në mbledhje u larguan duke mos marrë pjesë në votim.

Një parti, një Kuvend”, kjo ishte deklarata e Bashës në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PD-së e cila u shoqërua me debate të forta, por në fund u miratua propozimi i liderit demokrat që Kuvendi i partisë të mblidhet në datë 18 Dhjetor duke injoruar dhe mos marrë në konsideratë lëvizjen e Berishës.

Përplasja mes liderit aktual dhe ish liderit ka vijuar në distancë gjatë mbrëmjes. Duke iu përgjigjur propozimit të liderit demokrat, Berisha në një konferencë tha se mbledhja e Kryesisë së PD është “fake” pasi është emëruar nga Basha. I prerë ish-kryeministri tha se nuk tërhiqet nga mbajtja e Kuvendit më 11 dhjetor. Por për Bashën ky është një iluzion nga i cili Berisha duhet të ‘zhvishet’, ndërsa theksoi se nuk ka 2 PD dhe as institucione paralele. Kryedemokrati theksoi se se është shkelur afati i verifikimeve të nënshkrimit të firmave dhe se më 11 dhjetor sipas tij do të ketë tubim dhe jo Kuvend. Në deklaratën e tij kreu demokrat nënvizoi se PD do vijë në shinat e legjitimitetit me 18 Dhjetor.

KRYESIA E PD-VENDIM:

Në mbështetje të nenit 43 dhe 45 të Statutit të Partisë Demokratike,

Nisur nga situata e krijuar në Partinë Demokratike pas shpalljes nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person “non-grata” të z. Sali Berisha dhe dëmtimit të interesave politike të Partisë Demokratike në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast të mosmarrjes së masave që kërkoheshin nga ky vendim, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.11.2021,

Vendosi:

1. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, më datë 18 Dhjetor 2021, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, me rend dite:

“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnëinteresat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendëne saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

II.Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimine Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimine programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

2. Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.

3. Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.

4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH.

5. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!