Bisedimet për paqe mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të dërguarit special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, kanë përfunduar pas më shumë se 5 orësh, ndërsa palët kanë rënë dakord t’i rinisin negociatat të hënën në mëngjes, 15 dhjetor.
Lajmi u konfirmua nga këshilltari i presidentit ukrainas, Dmytro Lytvyn, i cili tha se Zelensky do të komentojë mbi përmbajtjen e bisedimeve vetëm pasi ato të përfundojnë plotësisht.
Zelensky mbërriti në Berlin të dielën në mëngjes, 14 dhjetor, ku u takua me Witkoff dhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz, në raundin më të fundit të përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Deklaratat vijnë vetëm pak orë pasi presidenti ukrainas sinjalizoi se është i gatshëm të heqë dorë nga ambicia për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, në këmbim të një marrëveshjeje paqeje.
Ai e cilësoi këtë lëvizje si një kompromis, duke theksuar se garancitë e sigurisë mbeten thelbësore në çdo marrëveshje.
Ndërkohë, marina ukrainase akuzoi Rusinë se ka sulmuar qëllimisht me dron një anije civile turke, e cila transportonte vaj luledielli drejt Egjiptit. Sipas Kievit, sulmi ndodhi dje, 13 dhjetor.
Negociatorët po shqyrtojnë aktualisht draft-dokumente që lidhen me zgjidhjen e konfliktit, ndërsa bisedimet pritet të vijojnë…

