5 mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme

schedule22:15 - 23 Maj, 2019

schedule 22:15 - 23 Maj, 2019

Komanda amerikane në Lindjen e Mesme ka kërkuar dërgimin e 5 mijë trupave shtesë për t’u bërë ballë kërcënimeve që vijnë nga Irani. Kërkesa po shqyrtohet nga Pentagoni, ndërsa nuk dihet nëse do t’i kalojë edhe Shtëpisë së Bardhë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po shqyrton një kërkesë të ushtrisë amerikane për të dërguar rreth 5 mijë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, për shkak të rritjes së tensioneve me Iranin.

Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë administratës amerikane për agjencinë “Reuters”. Teherani dhe Uashingtoni kanë përshkallëzuar këtë muaj retorikën ndaj njëri-tjetrit pas vendimit të presidentit Donald Trump për të bllokuar tërësisht eksportet iraniane të naftës dhe rritjes së pranisë ushtarake amerikane në zonën e Gjirit për shkak të atyre që u quajtën kërcënimet iraniane.

Burimet, të cilat kanë folur në kushte anonimati, deklaruan se kërkesa është bërë nga Komanda Qendrore amerikane, por shtuan se ende nuk dihet nëse Pentagoni do ta aprovojë atë. Departamenti i Mbrojtjes rregullisht merr dhe po ashtu refuzon kërkesa për burime njerëzore shtesë nga trupat e dërguara në vende të ndryshme të botës. Një nga zyrtarët tha se kërkesa e fundit ka natyrë vetëmbrojtëse.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë nëse një kërkesë specifike do t’i paraqitet Shtëpisë së Bardhë. Deri më sot Shtetet e Bashkuara nuk kanë publikuar ndonjë provë për kërcënimet që vijnë nga Irani. Por sekretari i Mbrojtjes në detyrë deklaroi të martën se masat e fundit të ndërmarra nga Pentagoni kishin bërë që të parandaloheshin sulme ndaj interesave amerikane./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!