5 mijë lekë lumturi!

schedule10:11 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 10:11 - 7 Dhjetor, 2021

Nga Edi Oga

Lumturia e vërtetë nuk ekziston, por njeriu mund të përjetojë çaste të lumtura, gjatë së cilave mungojnë për pak kohë problemet. Kjo përkon me një ndjesi iluzive sikur problemet nuk do të kthehen më kurrë.

Ka njerëz që çastet e lumtura mundohen t’i sigurojnë vetë!

Për të tjerët mendon qeveria!

Qeveria dhuron VITE të lumtura për biznesmenët partnerë në punët publike, për vetveten (lexo ministrat, zv/ministrat, sekretarët e përgjithshëm) dhe për drejtorët e drejtorive të mëdha.

Qeveria dhuron MUAJ të tërë lumturie për ata që kanë poste drejtuese vetëm sepse janë “të shkathët” kurdo që partia ka nevojë për ta.

Qeveria dhuron JAVË lumturie për shumicën e atyre që marrin një rrogë shteti. Si rregull, dy në tre veta në shtet e marrin rrogën nga puna e atij të tretit. Për më tepër në shtet ka pushime të paguara, pushime me raport, në mos rrjedhtë do pikojë dhe të tjera si këto.

Qeveria dhuron NJË DITË lumturie në vit edhe për pensionistët!

Këtë nuk e mohojmë dot! A ka pensionist që nuk lumturohet kur qeveria i bën dhuratë një gjel deti? Është e njejta ndjesi që do të përjetonte një ministër sikur qeveria t’i dhuronte një makinë luksoze të vitit që po vjen!

Në fund të fundit kjo është dhuratë dhe dhurata pranohet! Qeveria mund edhe të mos e jepte fare shpërblimin e fundvitit, sepse viti që vjen nuk është as vit elektoral, për më tepër.

Kështu që, faleminderit Qeveri! Zoti ta shtoftë!

Si mund t’ia shtojë Zoti Qeverisë?!

E thjeshtë fare. Mjafton që Qeveria të përgjysmojë shifrën vjetore që KLSH raporton si vjedhje dhe abuzim me fondet publike, dhe në fund të vitit tjetër pensionistët do të marrin nga një pension të plotë shpërblim! /abcnews.al