(5) Majmuni Kiko, reflekton për hapjen e negociatave!

schedule11:30 - 20 Korrik, 2022

schedule 11:30 - 20 Korrik, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Sot kam vendosur të mbaj ditar për shkak të një ngjarje që dëgjova se është historike. Janë hapur negociatat me BE-në. Lajmin e mora vesh që në mëngjes te tregu bananeve, por nuk e kuptova: “U hapën a t’u mbylltë”. Mendova se mos është ndonjë kod me të cilën komunikon majmuni Abu. Nuk i kushtova rëndësi se thashë se bëhej fjalë për dyert e ndonjë kontenieri, por në darkë dëgjova një fjali tjetër që më zgjoi kërshëri: “E hapëm rrugën për në BE a të bëfsha… udhët”.

Lexo edhe: (1) Intervistë me majmunin që rrahu tre policë dhe një turist grek

Duke lexuar për udhën që kanë përshkruar këta njerëz që e kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, duke parë se këta mendojnë se janë më afër perëndive se ne majmunëve më bën përshtypje se pse zgjedhin të jenë gjithmonë në fund. Pse vonohen?

Lexo edhe: (2) “50 arka me banane minus në portin e Durrësit”, majmuni Kiko merret sërish në pyetje: Unë kam alergji nga “pluhuri llokumeve”!
Të fundit me Rilindjen Kombëtare.
Të fundit me shkollën shqipe.
Të fundit me alfabetin.
Të fundit me Universitetin.
Të fundit me njëhsimin e gjuhës.
Të fundit që u larguan nga Perandoria Osmane.
Të fundit që shpallën Mbretëri.
Të fundit që ikën nga komunizmi.
Të fundit me hekurudha në Ballkan.
Të fundit me autostradë.
Të fundit me semaforë.
Si shpjegohet kjo vonesë? Ka ndonjë lidhje me atë që thoshte 100 vjet më parë Konica: “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku!”

Mos vallë vonesa është zgjedhje strategjike? Një lloj hileje për t’i rënë shkurt. Duan të mësojnë nga përvoja e të tjerëve dhe ta kenë më të lehtë rrugën?! Mos vallë këta njerëz më shumë se për rrugët mendojnë për rrugëdaljet?

Lexo edhe: (4) Majmuni Abu i përgjigjet Majmunit Kiko

Mos vallë vonesa është frymëzimi biblik?

Siç e thotë Mateu në Bibël: “të parët do të dalin të fundit dhe të fundit do të dalin të parët “

Por, këta i kanë prish kishat dhe xhamiat më 1967!

Me INUK!

Kiko

Sarandë, 19 korrik 2022

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!