5 Maji, Veliaj: Lavdi heronjve të vërtetë, njerëzve të veprave të mëdha

schedule11:25 - 5 Maj, 2019

schedule 11:25 - 5 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mori pjesë në ceremoninë përkujtimore organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Ndërkohë që nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale Veliaj shpreh mirënjohje për veprën e të gjithë atyre dëshmorëve që kanë sakrifikuar jetën e tyre për të patur një Shqipëri më të mirë sot.

“5 Maji – Dita e Dëshmorëve.Lavdi heronjve të vërtetë, njerëzve të veprave të mëdha, të cilët kanë mbetur të “pavdekshëm” në kujtesën dhe historinë e vendit tonë. Mirënjohje e përjetshme!”,- shkruan Veliaj në rrjetet sociale.

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve që këtë vit shënon edhe 75 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi sot titullin e nderit “Simbol i qytetit të Tiranës” Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut – Dega Tiranë. Në fjalën e tij ai vlerësoi rolin që ka luajtur kjo organizatë në promovimin e vlerave patriotike dhe sakrificave vetëmohuese të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për të patur një Shqipëri të lirë.

“Ashtu siç nderojmë personalitete të huaja të nderojmë edhe të lemë një vend të veçantë, special për të gjithë ata që kontribuojnë çdo ditë që Tirana dhe Shqipëria të jetë më e mirë. Ndaj Bashkia e Tiranës ka vendosur që të akordojë titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” në datën 5 maj 2019, Ditës së Dëshmorëve dhe 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut i jep titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇC-it dhe dëshmorëve të tjerë dega Tiranë, “Për veprimtarinë e saj të vazhdueshme në hulumtimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave patriotike dhe historike të veprave dhe sakrificave vetëmohuese të të rënëve për pavarësinë, lirinë e atdheut dhe mbrojtjen e rendit publik. Veprimtaria e saj e vazhdueshme e ka shndërruar këtë organizatë në simbol të qytetit për vlerat që ajo pasqyron”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës duke ia dorëzuar këtë titull drejtuesve të organizatës.

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohjen për kontributin që dhanë të gjithë ata që u ngritën në luftë, ndërsa vlerësoi faktin që falë luftës së tyre Tirana u çlirua pa ndërhyrjen dhe ndihmën e forcave të tjera. “Një nga gjërat që më bën të ndihem shumë krenar që shërbej në Bashkinë e Tiranës është se falë kësaj sakrifice të dëshmorëve Tirana është i vetmi kryeqytet në Lindje që është çliruar me forcat e veta, me forcat e qytetarëve të vet, të partizanëve dhe të atyre që ranë dëshmor. I vetmi qytet në Lindje që u çlirua pa ndihmën dhe pa trupat e ushtrisë së kuqe ruse në territorin e vet. Kjo më bën të ndihem shumë krenar që teksa Tirana mbush 100 vjet në faqet më të lavdishme të këtyre 100 viteve është Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ajo që më bën të jem krenar që jam socialist është se është e vetmja parti që pavarësisht tallazeve të tranzicionit ka qenë konsekuente për respektin, dinjitetin dhe afirmimin e Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare”, tha Veliaj.

Kryetari i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut (OKDA) – dega Tiranë, Ilir Shkëmbi  falenderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë vlerësim që bëhet sakrificave të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe familjeve të tyre .  “Falenderoj Bashkinë Tiranë, falenderoj personalisht Erion Veliaj si kryetar i kësaj bashkie për kujdesin, mirëkuptimin që kemi pasur, bashkëpunimin e vazhdueshëm në të gjitha drejtimet dhe për punën, vlerësimin që bën për punën e organizatës sonë.  Ky nuk është vlerësim vetëm për mua se unë jam kryetar I kësaj organizate të degës Tiranës por është I të gjithë familjeve të dëshmorëve, sidomos ata të Luftës antifashiste nacional çlirimtare të cilët shkruan faqen më të lavdishme të historisë sonë. Doja të falenderoja të gjithë familjet e dëshmorëve të Tiranës dhe ju që jeni përfaqësues të tyre. I jemi shumë mirënjohës Bashkisë së Tiranës, shokut Erion Veliaj, kryetarit të kësaj bashkie për këtë vlerësim të madh që na bën”, tha, Ilir Shkëmbi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!