49 kg kokainë në kontejner, Arbër Çekaj në gjykatë: Babai im profesor i nderuar, po na trajtoni si kulakë

schedule10:14 - 2 Prill, 2021

schedule 10:14 - 2 Prill, 2021

Arbër Çekaj, i biri i Selim Çekajt i cili u arrestua një ditë më parë pasi në kontejnerin e firmës së tij u kapën 49 kg kokainë, ka reaguar ditën e sotme nga Gjykata e Apelit në lidhje me këtë ngjarje.

Çekaj është shprehur se babai i tij është një profesor i nderuar. Ai ka hedhur akuza se ndaj tij dhe familjes së tij po vepron një klan i caktuar që kërkon t’i përfshijë ata në trafik droge duke i mbushur kontejnerët e bananeve me kokainë.

“Po na trajtoni si kulakë. Po masakrohet gjithë familja ime. Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Arrestuat babanë e kulakut! Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj. Mua ma çuan kontejnerin në magazinë në Maminas, ndërsa babait ia hapën në port. Kjo tregon që është një klan i caktuar që kërkoj të përfshijë familjen tonë në trafik”, është shprehur Arbër Çekaj.

Arbër Çekaj doli sot pra trupit gjykues për seancën e radhës në Apelin e Posaçëm, ku procesi është shtyrë për një tjetër ditë. Ndërkohë avokati i tij, Maks Haxhia ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues. Arbër Çekaj ndodhet pas hekurave për ngjarjen e 28 shkurtit të vitit 2018, kur në magazinat e tij ‘Arbri Garden’ në Maminas u gjetën 613 kg kokainë.

Babai i tij, Selim Çekaj ka hapur një kompani me emrin “Ecoalmax” një muaj pas kapjes së sasisë së kokainës në magazinat e të birit, për transportin e bananeve nga Ekuadori. Në kontejnerët që transportonin bananet që vinin për llogari të kompanisë së tij policia gjeti 49 kg kokainë duke e vënë në pranga atë.

/mv.abcnews.al