48 orë para zgjedhjeve, Meta: Të shmanget çdo incident e provokim

schedule12:52 - 23 Prill, 2021

schedule 12:52 - 23 Prill, 2021

48 orë para zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

Meta me anë të një postimi në rrjete sociale u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.

Sipas Metës, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme.

Reagimi i Metës:

Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj!
Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit.

Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.

Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit.

Prandaj , në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.

E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme!

Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë.

Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik.

Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë!
Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve!
Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani! E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!