41% e rrogës për bukë, ish-drejtoresha e INSTAT: Shifra e saktë 50%, cilat janë shkaqet

schedule21:31 - 7 Tetor, 2021

schedule 21:31 - 7 Tetor, 2021

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime. Familja tipike shpenzon 41% të parave për ushqim, sipas raportit të Eurostat. Ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja e ftuar në emisionin “Log” të Endri Xhafës në ABC deklaron se kjo statistikë nuk pasqyron shpenzimet reale pasi sipas saj ka një përqindje më të lartë. Shifra e saktë sipas ish-drejtoreshës së INSTAT duhet të jetë 50%, ndërsa arsyet pse shqiptarët shpenzojnë kaq shumë për ushqime ajo thekson se janë çmimet e larta dhe të ardhurat e ulëta.

Ka qenë një përqindje e lartë edhe më parë.  Dua të bëj një korigjim, kjo shifër duhet të jetë shumë më e lartë. Shifra e saktë duhet të jetë te 50%, jo 41.6%. Sepse 90% e familjeve shqiptare kanë një pagë më të ulët. Për të kuptuar arsyen pse ndodh kam nxjerrë nga eurostati sa shpenzon një individ në Shqipëri dhe rajon. Çmimet janë një arsye. Çmimet e larta dhe te ardhurat e ulëta janë arsyeja që pse shqiptarët shpenzojnë kaq shumë për ushqime”, tha Nurja.

Zv.ministri i Financave Besart Kadia u ndal te prodhimi vendas dhe arsyet se pse është kaq i ulët.

Po të shohim statistikat është e vërtetë. Por në Angli shpenzojnë më shumë për kulturë se për ushqim.  Të kthehemi në Shqipëri. Në rast se ne kemi hequr dorë nga prodhimi vendas kjo është shqetësuese. Diskutimi duhet bërë çfarë e bën prodhim prodhimin vendas të jetë më i ulët. Produktet bujqësore në Shqipëri në 5 vitet e fundit janë në rritje. Analiza duhet bërë a kemi monopol në kompani  që e importojnë produktin nga jashtë”, tha Kadia.

Rritja e çmimeve të produkteve të shportës dje nxori në protestë një grup qytetarësh. Mes tyre ishte edhe avokati Adriatik Lapaj i cili në teksa e ka prekur si temë shtoi se në vendin tonë kemi rroga shumë të ulëta.

Në lidhje me protestën ska organizator, unë kam hedhur idenë që do dilja të protestoja. Unë nuk mendoj se duhen ftuar njerëzit të protestojnë për bukë por aty u gjendën mijëra veta. Unë mendoj se të gjithë duhet të marin pjesë në protesta dhe ata që merren me politikë. Edhe një deputet mund të vijë. Edhe anëtar qeverie te jetë, se shoh që Braçe ka qenë shumë aktiv për uljen e tvsh. Në lidhje me këtë tabelën unë nuk jam statiticien, por kur themi  41.6% e të ardhura shkojnë për ushqimin kam përshtypjen se nuk janë më shumë se 30% e parave të një gjermani, italiani.  Ne duke pasur rroga të vogla dhe çmime thuajse sa ata shkon aq. Kur shkojmë te këto produktet e tjera s’mund të blejmë më”, tha Lapaj.

Tirana është qarku më i pasur, ku familjet konsumojnë mesatarisht 98 mijë lekë mallra dhe shërbime në muaj. Ndërsa, Kukësi është qarku më i varfër ku shpenzimet mesatare familjare janë 70 mijë lekë./be.k/Abcnews.al