EKSKLUZIVE/ 400 mijë $ në tavolinë, Abcnews.al zbulon ofertën për Bekim Balajn

schedule13:10 - 29 Maj, 2021

schedule 13:10 - 29 Maj, 2021

Partizani apo Vllaznia? Bekim Balaj, sulmuesi i kombëtares shqiptare, u dha fund fjalëve që mund të rikthehet në Superiore. I ngacmuar në konferencën për shtyp të një dite më parë, shkodrani deklaroi se mund të luajë edhe disa vite te tjera në kampionate më të forta se yni.

Pas një sezoni jo fort të mirë te Sturm Graz në Austri, Balaj është larguar me tre gola të shënuar në kampionat dhe ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë. Janë të shumta klubet që interesohen për të, por sulmuesi nuk nxitohet.

Abcnews.al mëson se ai e ka marrë një ofertë tunduese, nga një klub ku shqiptarët kanë qenë disa kohët e fundit. Bjellorusët e Shakhtyor Soligorsk e kanë pikasur Balajn dhe për të në tavolinë është një propozim interesant.

400 mijë dollarë në sezon ofrojnë bjellorusët, që në përbërjen e tyre kanë edhe Valon Ahmedin, një tjetër lojtar që ka qenë kontigjent i kombëtares sonë. Balaj duhet të marrë një vendim për të ardhmen dhe Shakhtyor Soligorsk është në pritje.

Favor për shkodranin është fakti që mund të përshtatet lehtë në Bjellorusi, pasi më parë është aktivizuar në Rusi, Çeki dhe Poloni, me ekipe si Akhmat Grozny, Sparta Praha, Slavia Praha dhe Jagiellonia. /Vladimir Prenga/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!