400 kg kokainë nga Brazili në Kosovë përmes Durrësit, SPAK mesazh krimit: E kemi seriozisht

schedule20:47 - 17 Maj, 2021

schedule 20:47 - 17 Maj, 2021

Shtatë persona janë arrestuar deri tani nga autoritetet në Kosovë për sasinë prej 400 kg kokainë që u sekuestrua në Lipjan, e cila kap vlerën e 20 milionë eurove nëse do të hidhej në treg. Në operacion pas sinjalizimit të DEA-s u përfshinë përpos Kosovës dhe Shqipëria me Italinë.

Kreu i SPAK, Arben Kraja nga Prishtina ku festoi suksesin e operacionit me homologët kishte një mesazh për të gjithë grupet kriminale.  “SPAK ka qenë i përfshirë në hetimin e këtij rasti.

Ka dy momente që duhen vlerësuar, e para që grupet e strukturuara po ushtrojnë aktivitetin në një territor shumë të gjerë nga Brazili në Kosovë, ç’ka tregon se e kanë rritur shkallën e rrezikshmërisë, por reagimi i institucioneve tregon që nëse do të jemi bashkë do të jemi shumë të suksesshëm.

Bllokimi i një sasie të tillë prej rreth 400 kg kokainë tregon se strukturat ishin në lartësinë e duhur. Duhet ta kenë të qartë të gjithë, që ne e kemi seriozisht dhe jemi të vendosur deri në fund të reduktojmë rastet e tilla. Ky është një mesazh për të gjithë ata që mund t’ju shkojë mendja të merren me aktivitete të tilla kriminale” tha ai.

Prokurori Vladimir Mara u shpreh se hetimet nisën në të tre shtetet, Itali, Shqipëri, Kosovë për të zbuluar të gjithë personat që janë përfshirë në këtë trafik. Hetimet vazhdojnë për rastin për të zbuluar të gjithë personat e përfshirë./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!