Në studion e “ABC të Mëngjesit” u prezantua një nga nismat më të veçanta të viteve të fundit për ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar.
Eva Kushova, Drejtore e Destination Management Organization Albania (DMO Albania), solli për publikun projektin me 40 histori që ndërtojnë një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare, një udhëtim që lidh legjendat e lashta me realitetin e sotëm dhe e bën kulturën shqiptare të prekshme, të kuptueshme dhe krenare.
Këto 40 tregime janë bazuar në fakte historike, studime shkencore dhe punën e një grupi ekspertësh nga fusha e historisë, arkeologjisë dhe etnografisë. Synimi është i qartë: të sjellë një tablo të plotë të rrënjëve, miteve dhe personazheve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit shqiptar ndër shekuj.
Nga Teuta, mbretëresha e deteve, te Mbreti Gent dhe legjenda e lules çudibërëse; nga inaugurimi i Amfiteatrit të Durrësit, te Argea, gruaja që lironte skllevërit në Butrint; nga kërkimi i nimfave në Apolloni, tek e bukura e Dheut në Seferan, tek historia e Maximusit, legjionarit të Scampisit dhe rrëfimet për ilirët dhe verën e tyre Balisca.
Të gjitha këto histori janë trajtuar me kujdes, duke u mbështetur në burime të mirëfillta dhe njëkohësisht duke respektuar magjinë e trashëguar nga gojëdhënat popullore.
“Synimi ynë është të sjellim një pasqyrë të pasur dhe të kuptueshme të trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare,” tha Kushova, duke theksuar se legjendat nuk janë thjesht mite, por mekanizma me të cilët një shoqëri shprehte vlerat, moralin dhe botëkuptimin e saj. “Legjendat janë produkt i imagjinatës popullore, por mbajnë brenda mesazhe të fuqishme që i qëndrojnë kohës.”
Përmes kësaj iniciative, DMO Albania synon të krijojë ura të reja mes brezave: fëmijët të mësojnë për rrënjët e tyre, të rinjtë të gjejnë frymëzim në historinë e vendit, dhe të rriturit të shohin me sytë e sotëm pasurinë shpirtërore të Shqipërisë.
40 historitë e përzgjedhura përmbledhin një botë të tërë: heronj që sfiduan kohën, tradita që kanë mbijetuar brez pas brezi, ritet e lashta ilire, rrëfenja popullore dhe ngjarje historike që mbartin peshën e shekujve. Janë një ftesë për të njohur Shqipërinë jo vetëm si destinacion turistik, por si një tokë me histori, shpirt dhe kujtesë kolektive.

