Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Europa është në prag të luftës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të bindur se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën ndërkohë ata kanë kërcënuar me sanksione Rusinë. Moska nga ana tjetër ka mohuar çdo plan të tillë, ndërsa pohon se Kievi po përgatitet për një sulm ndaj separatistëve të Donbasit në Ukrainën Lindore.
Manovrat ushtarake ruse në Krime, Rusinë Perëndimore dhe Bjellorusi kanë shqetësuar Perëndimin, ndërsa NATO po planifikon një grumbullim të forcave përgjatë kufirit të saj me Rusinë që shtrihet nga Deti Baltik në Detin e Zi.
Ndërkohë, diplomatët shpresojnë se kriza mund të zbutet pa konflikt ushtarak – megjithëse përgjigja “konfidenciale” e zbuluar e SHBA ndaj kërkesave ruse për të ndalur zgjerimin e NATO-s nënvizon faktin se sa larg janë të dyja palët.
A ka një zgjidhje diplomatike që do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e trazuar të Europës Lindore?
Sigurisht që ka, por fillimisht duhet të kuptojmë krizën aktuale. Nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Bëhet fjalë për një zgjidhje më të gjerë europiane në fund të Luftës së Ftohtë 30 vite më parë.
Zgjerimi i mëvonshëm drejt lindjes i institucioneve euroatlantike – veçanërisht NATO-s, një organizatë politiko-ushtarake e krijuar për të frenuar Rusinë dhe Bashkimin Europian, një komunitet ekonomik të cilit Rusia nuk mund t’i bashkohet kurrë, sipas pikëpamjeve të Moskës, rrezikon sigurinë dhe prosperitetin e Rusisë. Një Rusi e ringjallur është e vendosur ta ndalojë, nëse jo ta ndryshojë atë proces, duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme.
Kjo nuk duhet të jetë befasi. Fuqitë e mëdha, sapo të kenë mundësi, do të kërkojnë të rishikojnë paqen që iu imponua pas një disfate në një luftë të madhe. Ky ishte mësimi që morën nga Traktati i Versajës në fund të Luftës së Parë Botërore, i cili u negociua pa pjesëmarrjen e Gjermanisë apo Rusisë Sovjetike, raporton abcnews.al
Rimëkëmbja ekonomike e Rusisë në vitet 2000 dhe modernizimi i shpejtë i ushtrisë së saj gjatë dekadës së fundit i kanë dhënë asaj kapacitetin për të kundërshtuar zgjidhjen e Luftës së Ftohtë për hir të asaj që Moska beson se është më e drejtë. Megjithatë, krizat e përhershme, siç është bllokimi aktual, janë të pashmangshme. Një paqe e qëndrueshme kërkon që interesat e Rusisë të jenë në plan të parë.
Sfida është gjetja e një rruge që plotëson të paktën kërkesat minimale të sigurisë së Moskës pa kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të komprometojnë parimet dhe interesat e tyre thelbësore.
Kjo mund të duket të jetë një detyrë e pothuajse e pamundur- si të bëjmë bashkë qeveritë?
Si të bindim SHBA-në që dera e NATO-s të mbetet e hapur për anëtarësimin e shteteve ish-sovjetike, veçanërisht Ukrainës, me kërkesën e panegociueshme të Rusisë për një sferë interesash të privilegjuara që do të përfshinte ato ish-shtete sovjetike?
Sigurisht, rruga përpara mund të jetë e pabesë, por ekziston. Do të duhet fleksibilitet dhe kreativitet nga të dyja palët për të arritur qëllimin me sukses.
Rreziku i një lufte që do të rezultonte katastrofike për Europën, dhe para së gjithash për Ukrainën, dhe që do të rrezikonte situatën në një kataklizëm bërthamor duhet të ndyshojë kursin e qeverive.
Por ekziston mundësia që të parandalohet një luftë midis dy vendeve përmes 4 hapave.
Së pari, kufizimet në operacionet ushtarake përgjatë kufirit NATO/Rusi.
Së dyti, një moratorium për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Së treti, zgjidhja e konflikteve të vazhdueshme dhe të lën pezull në hapësirën ish-sovjetike dhe në Ballkan.
Së katërti, modernizimi i Marrëveshjes së Helsinkit të vitit 1975, i cili krijoi një forum pan-europian dhe artikuloi parimet e dakorduara të marrëdhënieve ndërshtetërore për ti dhenë fund tensionit Lindje-Perëndim.
Këto katër hapa duhet të negociohen si një paketë, megjithëse progresi ka të ngjarë të vazhdojë me ritme të ndryshme, sepse si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia duhet të analizojnë fillimisht hapat para se të marrin vendime për tu angazhuar në bisedime thelbësore, raporton abcnews.al
Ndalimi i operacioneve ushtarake.
Për të rivendosur kufizimin ushtarak përgjatë kufirit Rusi/NATO, të dy vendet mund të fillojnë duke rikthyer marrëveshjet e Luftës së Ftohtë që kanë mbetur në pezull gjatë viteve të fundit pasi njëra ose tjetra palë humbën interesin për t’i përmbushur ato.
Të dyja palët kanë rënë dakord se ky është një hap i rëndësishëm, megjithëse Rusia këmbëngul që të ndërmerret vetëm pasi të diskutohet çështja e zgjerimit të NATO-s – një arsye më shumë pse të gjitha aspektet e zgjidhjes së konfliktit duhet të diskutohen përpara se të meren vendime.
Sot, të dy palët duhet të riafirmojnë marrëveshjet për të shmangur incidentet e rrezikshme në det ose në ajër. Ata duhet të negociojnë diçka të ngjashme me Traktatin e Forcave Konvencionale në Europë që ka zgjidhur problemet në aktivitetet ushtarake në mënyra jo kërcënuese në zonat kufitare, duke marrë parasysh realitetet aktuale.
Ata duhet të ringjallin Traktatin INF të paktën për Europën – domethënë, të mos vendosen raketa balistike me rreze të mesme veprimi me bazë tokësore në kontinent. Kjo do të kërkojë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të zgjidhin problemet që çuan në mosfunksionimin e traktatit në vitin 2019. Arritja e marrëveshjes për këto çështje sigurisht kërkon kohë, siç ndodhi me marrëveshjet analoge gjatë Luftës së Ftohtë, por ka shpresa se këtë herë marrëveshja do të funksionojë.
Shtetet duhet të bien dakord për një moratorium mbi zgjerimin e NATO-s.
Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes është thelbi i mosmarrëveshjes aktuale. Njëri nga shtetet ka propozuar një moratorium formal për zgjerimin në ish-shtetet sovjetike, përfshirë Ukrainën, për 20-25 vite. Tjetri ka propozuar që vitin 2050 do të përfundonte moratoriumi.
Nuk ka asgjë magjike për periudhën; ajo thjesht duhet të jetë mjaft e gjatë në mënyrë që Rusia të mund të pretendojë se kërkesat e saj minimale të sigurisë janë përmbushur dhe mjaft e shkurtër në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të pretendojnë në mënyrë të besueshme se nuk e kanë braktisur politikën e dyerve të hapura.
Edhe nëse këto shtete nuk do të bien dakord për një moratorium, duhet të gjendet një zgjedhje e përbashkët për të dyja palët për të bërë të qartë se Ukraina nuk do të bashkohet me NATO-n as për vitet e ardhshme dhe as dekada, diçka që zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s do ta pranojnë shumë lehtësisht.
Në të njëjtën kohë, të dy palët duhet të kërkojnë marrëveshje për kufizimet e aktiviteteve të NATO-s në dhe rreth Ukrainës për shqetësimet e sigurisë së Rusisë, por edhe nuk kompromentojnë parimet e NATO-s.
Këto mund të përfshijnë një zotim nga vendet anëtare të NATO-s për të mos ndërtuar ose pushtuar baza ushtarake në Ukrainë ose për të furnizuar Ukrainën me sisteme armësh sulmuese që mund të sulmojnë territorin rus në këmbim të një zotimi për të mos vendosur sisteme të caktuara armësh brenda një zone të përcaktuar përgjatë kufijve të Ukrainës. Ky nuk do të ishte një lëshim i jashtëzakonshëm nga anëtarët e NATO-s. Në Aktin Themelues NATO-Rusi të vitit 1997, NATO u zotua të mos vendoste armë bërthamore ose forca të përhershme luftarake në shtetet e reja anëtare sepse diçka e tillë nuk ishte në interesin e saj, raporton abcnews.al
Të zgjidhen konfliktet e lëna pezull.
Konfliktet e vazhdueshme dhe të lëna pezull në hapësirën ish-sovjetike dhe në Ballkan, duke përfshirë Krimenë, Kosovën dhe Donbasin, përfshijnë të gjitha një lloj separatizmi. Të gjitha duhet të zgjidhen në bazë të një forme të demokracisë lokale, domethënë, një votim për të konstatuar vullnetin e njerëzve në rajonet separatiste është pika e fillimit, pas së cilës duhet të arrihen një sërë marrëveshjesh teknike.
Nuk duhet të jetë një referendum për çështjen e separatizmit. Në rastet e Krimesë dhe Kosovës, konfliktet më të spikatura, zgjedhjet e planifikuara rregullisht mund t’i shërbejnë këtij qëllimi, me kushtin se fitorja do të kërkonte që një shumicë e cilësuar e elektoratit të votonte për kandidatët që mbështesin separatizmin.
Kërkesa e vetme do të ishte që votimi të vëzhgohej ndërkombëtarisht dhe më pas të certifikohej si i lirë dhe i drejtë për të fshirë çdo dyshim se ishte legjitim.
Votime të tilla padyshim do të rikonfirmonin atë që shumica e dinë se janë një e vërtetë e vështirë për tu pranuar se Kosova do të mbetet e pavarur dhe Krimea nuk do të jetë kurrë pjesë e Ukrainës.
Një votim i ngjashëm mund të përdoret për të përcaktuar se si të proçedojmë me rajonet separatiste të Donbasit, duke përfshirë nëse marrëveshjet e Minskut duhet të përbëjnë bazën e rezolutës ose nëse duhet të bëhen disa rregullime të vogla për të marrë parasysh preferencat lokale.
Përditësoni Marrëveshjet e Helsinkit
Përditësimi dhe modernizimi i Marrëveshjeve të Helsinkit do të mbulonte një zgjidhje gjithëpërfshirëse, duke hedhur themelet për dekada paqe në Europë. Në veçanti, të dyja palët duhet të kërkojnë një marrëveshje për interpretimin e 10 parimeve, për të cilat të gjitha palët kanë rënë dakord, duke përfshirë respektimin e të drejtave sovrane, vetëvendosjen, eleminimin nga kërcënimet ose përdorimin e forcës dhe zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.
Qëllimi është të krijohet një bazë e fortë për organizimin e sigurisë europiane, e cila merr parasysh zhvillimet historike dhe përparimet teknologjike që nga viti 1975 që ndikojnë në mënyrën se si shtetet bashkëveprojnë me njëra-tjetrën dhe si veprojnë në skenën globale, raporton abcnews.al
Arritja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse sigurisht do të kërkojë kohë dhe përpjekje të konsiderueshme, por tani është pikërisht koha për të nisur diçka të tillë. Siç ndodhi, pesë dekada më parë, kur kishte tensione gjatë Marrëveshjeve të Helsinkit, asnjë vend nuk do të marrë çdo gjë që dëshiron dhe asnjë vend nuk do të kapitullojë para një paqeje të imponuar.
Zgjidhja përfundimtare nuk do të jetë ideale për shumë njerëz, por rezultati do të jetë më i mirë për të gjitha palët sesa një konflikt i armatosur.
/abcnews.al