Nga Erblina Mile
Thellohen detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj kompanive që janë kontraktuar për të kryer punime. Sipas të dhënave të ministrisë së financave vetëm ky zë ka kapur vlerën 6.1 miliard lekë deri në shtator të këtij viti. Shifra ka kapërcyer me rreth 2 miliard lekë më shumë nëse e krahasojmë me të dhënat e bëra publike në muajin qershor periudhë që korrespondon me zgjedhjet parlamentare.
Gjatë kësaj kohe qeveria ka shlyer një shumë të konsiderueshme të borxheve ndaj të tretëve. Pas investimeve renditen borxhet e krijuara si rezultat i shkarkimeve të padrejta nga administrata. Ky është një problem i konstatuar si në qeverisjen qendrore po ashtu dhe në atë vendore dhe në total kap vlerën 4.5 miliard lekë. Qeveria ka krijuar borxh edhe për shërbimet që ka marrë ndërsa nuk ka kryer pagesat si dhe për mirëmbajtjen e rrugëve.
Kjo rritje e detyrimeve vjen pas pagesave që qeveria ka realizuar në prag të zgjedhjeve të qershorit duke e ulur nivelin e detyrimeve të prapambetura por në shtator ato përsëri kanë njohur rritje të shpejtë duke kapur nivelin total të 19.7 miliard lekëve ose 162 milion euro. Deri në qershor totali i detyrimeve të prapambetura ishte 18 miliard ose 148 milionë euro.
Ndërkohë në bazë të institucioneve Ministria e infrastrukturës rezulton të jetë borxhlia më e madhe. Në total shuma e borxhit në këtë institucion arrin në 6.9 mld lekë e ndjekur nga ministria e ekonomisë dhe e mbrojtjes. /abcnews.al