Në Argjentinë autoritetet vijojnë punën për gjetjen e misterit të infektimit me koronavirus, të 57 peshkatarëve që kishin qëndruar 35 ditë në det.
Mediat e huaja bëjnë me dije se peshkatarët para nisjes ishin testuar dhe kishin rezultuar negativ, është shprehur Ministria e Shëndetësisë e krahinës jugore, Tierra del Fuego.
Sipas ministrisë, 57 detarë nga 61 anëtarë sa i kishte gjithsej ekuipazhi, janë diagnostikuar me virus pasi i janë nënshtruar testimit të ri. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë izoluar për 14 ditë në një hotel në qytetin Ushuaia.
Dy detarë kanë pranuar rezultat negativ e dy janë në pritje të rezultatit. Dy prej detarëve janë hospitalizuar.
“Është vështirë të përcaktohet se si është infektuar ekuipazhi, duke marrë parasysh që për 35 ditë anëtarët e tij nuk kishin asnjë kontakt me tokën”, thotë Alejandra Alfara nga kujdesi shëndetësor në Tierra del Fuego. “Pajisjes u sollën vetëm nga porti i Ushuaias”.
Ekipi po shqyrtonte kronologjinë e shfaqjes së simptomave gjatë qëndrimit në det për të përcaktuar kronologjinë e infektimit.Udhëheqësi rajonal për sëmundje infektive, Leandro Ballatore beson se bëhet fjalë për një rast që nuk parashihet në publikimet e deritashme. Një periudhë e inkubacionit kaq e gjatë nuk është përshkruar askund, thotë ai.
“Ne nuk mund të shpjegojmë se si u shfaqën simptomat”, ka thënë Ballatore./abcnews.al