32-vjetori i ekzekutimin të Havzi Nelës, Meta: Litari i xhelatëve nuk do të vrasë ëndrrat e shqiptarëve

schedule09:56 - 10 Gusht, 2020

schedule 09:56 - 10 Gusht, 2020

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar 32-vjetorin e vdekjes së ish-poetit dhe intelektualit Havzi Nela, i cili u var nga autoritetet diktatoriale komuniste në 10 gusht të vitit 1988.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, ai shprehet se litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit Nelës nuk do të mund ta vrasë kurrë demokracinë dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.

Kujtojmë që më herët edhe lideri demokrat Lulzim Basha ka shprehur vlerësimet ndaj Havzi Nelës, duke e cilësuar si poetin e pavdekësisë.

Lexo edhe: 32-vjet më parë u ekzekutua nga komunistët, Lulzim Basha përkujton poetin e njohur

Postimi i plotë:

Litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, si dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.
“Liria më thërret, vdekja nuk më tund”, vargjet e poezisë së Havzni Nelës edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme:

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, Nandor 1987 /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!