30 vjet më parë, natën e Krishtlindjeve, pas një procesi të zgjatur 70 minuta, do të ekzekutoheshin Nikolae dhe Elena Çaushesku, diktatori i fundit i Rumanisë dhe bashkëshortja e tij. Nga majat e partisë komuniste deri në pushkatimin para togës së ekzekutimit natën e Krishtlindjeve të vitit 1989. Ngritja dhe rënia e Udhëheqësit, i cili la Rumaninë të jetë vendi i fundit i marrëveshjes së Varshavës, pa reforma demokratike
Ishte babai – pronar i Rumanisë për 24 vjet deri në revolucionin e 1989-ës, i nisur nga periferia e vendit në Timisoara. Që këtu vala u shtri duke mbërritur deri në Bukuresht dhe duke nxjerrë para togës së pushkatimit, me sy të lidhur, atë dhe bashkëshorten e tij, të dënuar me vdekje pas 70 minutash process.
Nikolae dhe Elena Çaushesku u pushkatuan ditën e Krishtlindjeve në një shkollë të vogël në Targovist, 80 kilometra larg kryeqytetit.
Po cilat janë etapat e ngjitjes dhe rënies së “Udhëheqësit”, që e la Rumaninë vendin e fundit të Marrëveshjes së Varshavës pa reforma demokratike.
26 janar 1918 – Lind në Skorniceshti, në një familje fshatarësh dhe në 1929-ën transferohet deri në Bukuresht për t’u bërë këpucar. Në vitin 1932 bëhet pjesë e partisë komuniste, që në atë kohë ishte e paligjshme. Arrestohet një vit më vonë, dhe sërish në 1934-ën dhe 1936-ën. Konsiderohej si një komunist i rrezikshëm dhe pjesë e aktiviteteve revolucionare.
1939 – takon atë që do të bëhej bashkëshortja e tij, Elena Petresku. Një vit më vonë arrestohet sërish dhe në vitin 1943 internohet në kampin e përqendrimit të Târgu Jiu. Atje njihet me George Dej i cili do të bëhej kreu i shtetit nga 21 marsi deri në 1965-ën. Pas vdekjes së tij do të nisë diktatura e Çausheskut.
1944 – bëhet sekretar i Unionit të Rinisë komuniste, tri vjet më vonë nën regjimin Stalinist të George Dej, bëhet ministër agro kulture, dhe më pas zv/ ministër i forcave të armatosura. Në 1946 martohet me Elena Petresku.
Në vitin 1954 bëhet njeriu më i rëndësishëm i partisë komunsite dhe 11 vjet më vonë sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste rumune. 2 vjet më vonë do të jetë kryeministër dhe do të refuzojë të marrë pjesë në pushtimin e Cekosllovakisë për të mos kompromentuar qëndrueshmërinë e rajonit.
Historia nis në 1974-ën kur shpallet president i Rumanisë. Me Çausheskun në pushtet vendi ka një status të vecantë në krahasim me vendet e tjera pjesë të marrëveshjes së Varshavës, dhe Kremlini tregohet tolerant. Rumania, me Çausheskun mbetet staliniste, dhe e pavarur në marrëdhëniet ndërkombëtare, në vitin 1984 do të marrë pjesë së bashku me Kinën dhe Jugosllavinë në Lojërat Olimpike të Los Anxheles. Në vitin 1974 dhe 1980 ai firmos marrëveshje që e bëjnë pjesë të marrëdhënieve tregtare me Komunitetin europian.
Nga viti 1972, Çaushesku ndërmerr një projekt shkatërrimi, ristrukturimi dhe rindërtimi të vendit, nga fshatrat deri në qytete. Shkatërron fshatrat dhe rimodelon Bukureshtin duke marrë si model stilin komunist të regjimit të Penianit. Ndërton atë që njihet si Shtëpia e Popullit, aktualisht ndërtesa e parlamentit: me qëllimin për të realizuar një vepër sublime dhe shumë të madhe ai urdhëron disa herë arkitektët dhe punëtorët që të rindërtojnë disa pjesë të parlamentit.
Politikat e Çausheskut kundër abortit të nisur në 1966, përfshijnë dhe taksën deri 20 për qind mbi pagën për të gjithë rumunët mbi 25 vjeç të cilët nuk ishin bërë akoma prindër. Me mijëra fëmijë braktisen nëpër jetimore. Rritja demografike ndodh, por në të njëjtën kohë rritet dhe niveli varfërisë në vend. Në frontin ekonomik, Rumania ka shumë borxhe, përplasjet me Bashkimin Sovjetik ngrenë hipotezën në perëndim se Çaushesku dëshiron të largohet nga Moska. Në këtë mënyrë Bukureshtit i jepet një borxh prej 13 miliard dollarësh, që do të mbyllte vendin në një rrugë pa kthim. Për të larë borxhin e jashtëm diktatori vendos eksportimin e detyruar të prodhimeve industriale dhe agrare, ndërsa për rumunët do të niste koha e racionimit të ushqimeve, ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Të gjitha sakrificat justifikoheshin me arsyetimin se duhej larë borxhi i jashtëm. Objektiv që në fakt u arrit pak para rrëzimit të regjimit.
Populli rumun është i uritur, në të ftohtë, pa dritë dhe pa benzinë, por Çaushesku bën sikur nuk sheh:, filmohet teksa shkon në dyqane të furnizuara dhe feston rezultatet e prodhimit agrar. Është viti i rënies së diktatorit. Protestat nisin në Timisoara në mbrojtje të bariut protestant rumun me nënshtetësi hungareze László Tőkés, të cilin qeveria rumune kërkonte të dëbonte nga vendi me akuzën e nxitjes së urrejtjes etnike. Qitësit qëllojnë mbi turmën gjatë protestave ku merrnin pjesë dhe shumë student. Ndërkohë Çaushesku niset për një vizitë zyrtare në Iran. Në rikthimin e tij në 20 dhjetor të 1989-ës, situata në vend është shumë e tensionuar. Një ditë më pas ai flet para popullit në sheshin e Revolucionit. Por para tij nisin parullat kundër tij, fishkëllimat dhe protestat. Një skenë që nuk ishte parë asnjëherë prej 24 vitesh. Ai dhe bashkëshortja e tij mbyllen në pallatin e Komitetit Qendror, ndërsa policia dhe ushtria përballen me manifestimet që në 22 dhjetor do të përhapeshin në të gjithë vendin. Sipas të dhënave historike një nga arsyet e përhapjes së shpejtë të protestave ishte tradhtia e gjeneralëve të ushtrisë si dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë që u bashkuan me manifestuesit.
22 dhjetor 1989 – Çaushesku dhe bashkëshortja Elena braktisin me helikopter pallatin presidencial. Mbërrijnë në Targovist sepse ushtria urdhëron uljen e menjëhershme të helikopterit dhe mbyll hapësirën ajrore. Ata përpiqen të arratisen por kapen dhe i dorëzohen ushtrisë. Ditën e Krishtlindjeve ata pushkatohen pas një procesi që zgjati 70 minuta.
Sipas Institutit të Kërkimit për Krimet e Komunizmit, ishin 300 mijë të vrarë gjatë diktaturës rumune, 651.087 të burgosurit e torturuar nga të cilët një në katër ndërroi jetë në burg, 8 mijë ekzekutimet dhe pesë mijë dënimet me vdekje./abcnews.al



