30 vite nga vrasja e gjykatësit të anti-mafias, kush ishte Paolo Borsellino

schedule10:37 - 19 Korrik, 2022

schedule 10:37 - 19 Korrik, 2022

19 korriku shënon 30 vjetorin e masakrës së Via D’Amelio në të cilin gjyqtari Paolo Borsellino dhe forcat e tij të sigurisë Agostino Catalano, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Walter Eddie Cosina dhe Claudio Traina humbën jetën.

Magjistrati u vra më 19 korrik të 1992 nga mafia italiane.

“Sulmi në via D’Amelio, njëzet e nëntë vite më parë ishte çnjerëzor”, tha vëllai i Borsellinos në një deklaratë.

“Paolo Borsellino mbrojti  drejtësinë me jetën e tij. Kujtimi i kësaj masakre zgjon akoma një emocion dhe në të njëjtën kohë na rikujton se duhet të angazhohemi të gjithë së bashku për të eliminuar mafian”, tha Presidenti Sergio Mattarella në një mesazh.

“30 vite pas masakrës së Via D’Amelio, Italia nuk e ka harruar gjyqtarin Paolo Borsellino. Shpërthimi që vrau gjyqtarin dhe agjentët e sigurisë në 19 korrik 1992 na paralajmëron se asnjë kompromis nuk mund të tolerohet në luftën kundër mafies.

30 vite më vonë është e papranueshme që skena e ngjarjes dhe fakteve nuk është rindërtuar ende. Vetëm e vërteta e plotë mund të çlirojë drejtësinë dhe ta lehtësojë Italinë nga kjo barrë e dhimbshme” tha Presidentja e Senatit Elisabetta Casellati.

Kur përkujtojmë njerëz si Paolo Borsellino, detyra e përkujtimit nuk duhet të jetë një qëllim në vetvete, por gjithmonë duhet të kujtojë vlerën e një përgjegjësie civile të fortë, frymëzuar nga parimet e Kartës Kushtetuese, e cila na bën një komunitet  gjithnjë e më të bashkuar në solidaritet, në drejtësi dhe në projektin e domosdoshëm të një vendi të lirë nga mafia “, tha politikani Roberto Fico

“Më 19 korrik 1992 në një sulm frikacak Paolo Borsellino humbi jetën. Të kujtosh forcën dhe guximin e tij është një detyrë morale për ata që nuk do të përkulen kurrë para mafies dhe për ata që luftojnë çdo ditë për të fshirë këtë kancer nga vendi ynë. Borsellino nuk është sinonimi i sakrificës por një model referimi, së bashku me Falcone, për shumë breza “. tha Matteo Perego, nënkryetar i deputetëve të Forza Italia.

Por kush ishte Paolo Borsellino

Borsellino lindi në Palermo në vitin 1940.  Në vitin 1959 u regjistrua në fakultetin e drejtësisë  dhe u diplomua  në vitin 1962. Në moshën 23-vjeçare, fitoi konkursin për gjyqtar. Në vitin 1975  zhvendoset në Palermo dhe nis të punojë përkrah Rocco Chinnici-t, raporton abcnews.al

Por hovin karriera e Borsellinos do ta kishte në vitin 1980 kur iu vu në dispozicion një eskortë dhe më pas u bë zyrtarisht pjesë e antimafias, me në krye gjyqtarin Caponnetto. Në vitet 1985-1986 Borsellino punoi së bashku me anëtarët e tjerë të grupit për të përgatitur “Maxi Trial”, i cili i zhvilluar në vitet 1986 deri në vitin 1992 çoi prapa hekurave 342 mafiozë.

Ai lidhi miqësi jete me Falconen dhe të dy ndanin shumë kohë bashkë, si në punë ashtu edhe në jetën private. Sipas dëshmisë së vëllait të Borsellinos, ata të dy kishin mënyrën e tyre të të përshëndeturit: Falcone me grusht, ndërsa Borsellino me përshëndetjen romane.

Por sigurisht rreziku ishte i madh. Ndër të parët që morën goditjet nga mafia  ishin gjykatësi Cesare Terranova dhe truproja e tij, marshalli i policisë Lenin Mancuso, të cilët u vrarë më 25 shtator 1979; kapiteni i karabinierëve Emanuele Basile, që bashkëpunoi me Borsellinon nga viti 1975, u vra më 4 maj 1980.

Lista e vrasjeve gjatë atyre viteve ishte tepër e gjatë: politikanë, njerëz të forcave të rendit, përfaqësues të drejtësisë, kushdo që u pret rrugën mafiozëve vë në rrezik jetën e tij. Për Paolo Borsellinon dhe Giovanni Falconen ato ishin momentet më të vështira: më 29 korrik 1983, Rocco Chinnici-n, dhe dy nga truprojat e tij vriten në një sulm me bombë.

Por puna vazhdoi për Borsellinon dhe skuadrën e tij, raporton abcnews.al

Më 1987 Caponnetto largohet nga puna për arsye shëndetësore; zgjedhja më e mirë për t’i dhënë vazhdimësi punës do të ishte zëvendësimi i tij me Giovanni Falconen, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën presione politike dhe me pretekstin e vjetërsisë më të madhe në punë, vendos të emërojë Antonino Mele.

Me 23 maj 1992 , Falcone humb jetën pas një sulmi me bombë. Ndërsa me 19 korrik 1992 në Palermo, në rrugën D’Amelio po në të njëjtën mënyrë vritet gjykatësi Paolo Borsellino dhe truprojat e tij: Agostino Catalano, Walter Cusina, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Claudio Traina.

Por Borsellino ishte i vetëdijshëm për fatin e tij. Përpara atentatit që i mori jetën Borsellino kishte shkruar: “Nuk jam as hero as kamikaz, vetëm një person si shumë të tjerë. I trembem fundit sepse e shoh si një gjë të mistershme, nuk di ç’do të ndodhë në botën e përtejme.

Por e rëndësishme është që guximi të triumfojë… Po të mos ishte dhimbja që më jep largimi nga familja ime, mund edhe të vdisja i qetë”.

Pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme dhe të rënda, Borsellino nuk u zmbraps, por vijoi me zell dhe vendosmëri heroike punën e vështirë të investigimit, por u vra barbarisht në një pritë, me egërsi brutale, duke sakrifikuar jetën, në shërbim të idealeve më të larta të drejtësisë dhe institucioneve”.

Vetëm pesë muaj pas vrasjes së Paolo Borsellinos duket sikur gjërat më në fund ndryshojnë: rinisin hetimet dhe arrestimet. Më i bujshmi, më 15 janar 1993, është arrestimi i kreut të Korleonezëve, familjes mafioze më në zë të asaj periudhe, Toto Riinës.

Por mafia nuk dorëzohet: një seri atentatesh mes majit dhe korrikut të të njëjtit vit dhanë sinjalin që rruga do të jetë shumë e gjatë.

Përktheu Sonila Backa-abcnews.al