Në studion e ABC-së ishte sot gazetarja dhe moderatorja e njohur Beti Njuma, një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare, e cila prej gati tre dekadash ka qenë dëshmitare dhe protagoniste e zhvillimeve më të rëndësishme të gazetarisë në vend. Rrugëtimi i saj në media nisi në vitin 1997, në Radio Koha, për të vazhduar më pas në Radio Tirana, ku nga viti 1999 deri në 2002 drejtoi emisionin e mëngjesit. E diplomuar në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, Beti kujton me nostalgji vitet e fëmijërisë, kur babai e shoqëronte me biçikletë dhe ditët kalonin mes lojërave, lirisë dhe kujtimeve që i konsideron pasurinë më të bukur të jetës së saj.
Për të, gazetaria nuk ka qenë thjesht një profesion, por një mënyrë për të kuptuar shoqërinë dhe për t’u dhënë zë çështjeve që prekin njerëzit. Kureshtja, kërkimi i së vërtetës dhe dëshira për të kuptuar realitetin kanë qenë motivimi kryesor gjatë gjithë karrierës së saj. Duke parë pas në kohë, ajo vëren se media shqiptare ka kaluar transformime të mëdha, veçanërisht me zhvillimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Sot ka më shumë mundësi informimi se kurrë më parë, por njëkohësisht edhe më shumë sfida për verifikimin e lajmit dhe ruajtjen e profesionalizmit. Sipas saj, integriteti mbetet themeli i gazetarisë dhe pa të ky profesion humbet kuptimin e vet. Një intervistë e mirë, thotë Beti, nuk është ajo ku gazetari flet më shumë, por ajo ku arrin të nxjerrë informacionin që publiku pret të dëgjojë. Përgatitja, njohja e temës dhe guximi për të bërë pyetjet e duhura janë çelësi i suksesit në këtë profesion.
Prej vitesh, publiku e ndjek në emisionin “Ora e Betit”, ku trajton aktualitetin dhe çështje sociale me interes publik. Brenda kësaj hapësire ka lindur edhe “Një Grusht Librash”, një rubrikë e dashur për lexuesit, e cila promovon autorë dhe botime të reja. Për Betin, kultura dhe libri janë pasuri të pazëvendësueshme që formojnë identitetin tonë dhe promovimi i leximit është një investim për të ardhmen. Dashuria për librin vjen që nga fëmijëria. E rritur mes librave falë profesionit të të atit në shtypshkronjë, ajo e konsideron përkthimin një pasion dhe një kontribut të rëndësishëm kulturor. Megjithatë, nuk e fsheh shqetësimin për kohët moderne, ku rrjetet sociale dhe ritmi i shpejtë i jetës kanë larguar shumë njerëz nga leximi dhe letërsia.
Një kapitull i rëndësishëm në karrierën e saj mbetet edhe eksperienca mbi tetëvjeçare në Ora Neës, të cilën e konsideron një hap të rëndësishëm profesional dhe personal. Por Beti Njuma nuk është vetëm gazetare. Ajo është edhe një grua me pasione të forta dhe sfida të pazakonta. Dashuria për malin dhe alpinizmin e ka çuar deri në kampin bazë të Everestit, duke realizuar një ëndërr që dikur kishte qenë edhe ëndrra e të atit. Mali, sipas saj, të mëson durimin, disiplinën dhe respektin për natyrën, ndërsa çdo ngjitje është një sfidë me vetveten dhe një mundësi reflektimi.
Përtej ekranit, ajo është edhe nënë e dy djemve binjakë, Frenkit dhe Heldit, të cilët sot janë rritur dhe kanë ndërtuar jetën e tyre. Rritja e tyre nuk ka qenë e lehtë, por është ndër arritjet për të cilat ndihet më krenare. Ajo ka tentuar gjithmonë t’u transmetojë dashurinë për dijen, librin dhe mendimin kritik, duke i mësuar të mos kënaqen me përgjigje sipërfaqësore. Sot, edhe pse koha nuk u lejon të kalojnë aq shumë momente bashkë sa dikur, Beti ndien krenari dhe lumturi kur sheh respektin dhe vlerësimin e djemve të saj. Dashuria për ta, thotë ajo, nuk ndryshon kurrë.
Pas 29 vitesh në media, Beti Njuma vazhdon të besojë se besueshmëria është kapitali më i madh i një gazetari. Ndërsa në jetën personale, filozofia e saj mbetet e thjeshtë: të gabojë sa më pak, të mësojë nga çdo përvojë dhe të jetojë me paqe, lumturi dhe mirënjohje për gjithçka që ka ndërtuar ndër vite./abcnews.al


