(29) Kiko, trajnon Abun për kryebashkiak!

schedule13:03 - 1 Nëntor, 2022

schedule 13:03 - 1 Nëntor, 2022

Nga Lutfi Dervishi

Pasi e emëruan kandidat për kryebashkiak, për shkak se më shumë e kalonte kohën jashtë Shqipërisë dhe për më tepër mendjen e kishte te çështjet globale, majmuni Abu, vendosi të këshillohej më parë me Kiko Majmunin.
Kiko e priti propozimin me putrat e para.
-Dua që të jem këshilltar që të pranosh këshillat e mia dhe jo këshilltar formal.
– Nuk bëhet llaf- ia ktheu Abu. Unë kam nevojë të njihem në detaje me problematikat vendore këtu. Kam nevojë për mend. Pse dyshon se unë nuk do të pranoj këshillat e tua?
“Ka një traditë jo fort pozitive me këshilltarët në këtë vend- vijoi Kiko. Njëri prej ish udhëheqësve thoshte se “këshilltarët janë për të vënë në jetë këshillat e mia”, një tjetër ish udhëheqës ankohej se shpenzonte çdo ditë nga 2-3 orë duke këshilluar tufën e këshilltarëve ndërsa tani kanë një udhëheqës që nuk ka kohë të dëgjoj këshilla se po këshillon botën.
Duhet të kesh parasysh një thënie të vjetër- nisi këshillat e tij Kiko, që tashmë jemi në fushatë elektorale dhe “rrenat më të mëdha thuhen gjatë luftës, pas gjuetisë dhe para zgjedhjeve.”
Disa thonë se kjo thënie është e ish kryeministrit francez Clemencau, ca të tjerë ia atribuojnë ish kancelarit gjerman Bismarck, ndërsa një pakicë mendon se është thënie e ish kryeministrit anglez Churchil. Unë besoj se kjo shprehje ka dalë nga këto troje këtu. Dhe duhet të kesh parasysh se ky vend ndodhet në luftë.
Si në luftë- pyeti Abu- a nuk është në luftë Ukraina?
Ukraina ka vetëm një luftë- vijoi sqarimin Kiko, luftën me Rusinë, ndërsa ky vend vijon të jetë në shtatë luftra..
1. Lufta ndaj pasojave të tërmetit
2. Lufta nda pasojave Covid-it
3. Lufta ndaj pasojave të luftës në Ukrainë
4. Lufta ndaj Iranit
5. Lufta ndaj mediave
6. Lufta ndaj raporteve ndërkombëtare
7. Lufta ndaj hijenave dhe non-gratave.

Si ja del ky popull me gjithë këto luftra- pyeti Abu- si është puna e çmimeve? A janë të dhunshme protestat?
Janë rritur të gjitha çmimet – u përgjigj Kiko, – karburanti, dridhërat, energjie, produktet e shportës. Të gjitha çmimet janë rritur me përjashtim të bananeve dhe …kafesë.
– Si e shpjegon stabilitetin e çmimit të bananve ti Kiko?
-Pluhuri i llokumit është më i fortë se graniti.
-Po mos ndryshimin e çmimit të kafesë?
– Këtë më duket e subvencionon qeveria që shqiptarë të rrinë në kafe. Këtu gjysma shesin kafe dhe gjysma pijnë kafe. Po u ngritën nga kafeneja shqiptarët, duhet të japin dorëheqjen menjëherë jo vetëm qeveria në Tiranë, por edhe qeveritë e vendeve përrreth.
– Si e shpjegon t’i Kiko pasivitetin e shqiptarëve?
– Janë popull i regjur me padrejtësinë. Mua një padrejtësi më bënë dhe riedukova tri policë bashkiakë në Sarandë.
Derisa të mbarojnë zgjedhjet- nuk dua ta dëgjoj fjalën riedukim ngriti zërin Abu, dhe pasi i hodhi putrën në qafë Kikos, afroi kokën te veshi dhe i pëshpëriti:
– Po të besoj një sekret. E ndjej se kam nevojë për disa riedukime! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!